Ish-bateristi i Beatles, Ringo Starr, i cili ka publikuar albumin e tij të ri të muzikës Country, “Long Long Road”, ka dhënë një intervistë ekskluzive për BBC-në.
Artisti 85-vjeçar, i cili preferon ta thërrasin thjesht Ringo, dhe të shmangë formalitetet, edhe pse është shpallur “Sir” në vitin 2018, tha se albumi i ri është realizuar në bashkëpunim me emra si, Sheryl Crow, Billy Strings dhe St. Vincent.
Albumi u realizua nga T Bone Burnett, me të cilin Starr ka bashkëpunuar për herë të dytë në më pak se dy vite, duke regjistruar në Los Anxheles dhe Nashville.
Starr theksoi se muzika duhet të luhet në grup dhe jo individualisht, duke kujtuar se edhe gabimet më të mëdha i kishte bërë në skenë.
“Nuk besoj në praktikimin e muzikës vetëm. Përvoja reale fitohet duke luajtur me të tjerët dhe përballë publikut. Gabimet janë pjesë e natyrshme e procesit dhe ndodhin më së shumti në skenë, por pikërisht aty mësohet më shumë”, tha ai.
Ai shtoi se edhe në rini, kur praktikonte vetëm, kjo nuk ishte aq efektive sa të luante me një grup.
Për këtë arsye, u rekomandon muzikantëve të rinj të bashkohen me të tjerë dhe të krijojnë banda, sepse bashkëpunimi dhe performanca live janë thelbësore për zhvillimin artistik.
Përsa i përket ndikimeve, ai shpjegoi se dashuria për muzikën “Country” vinte nga rinia në Liverpul, që sipas tij ishte një qendër e rëndësishme për këtë zhanër në Britani të Madhe, falë muzikës së sjellë nga detarët.
Starr kujton se gjatë kohës me “The Beatles” kishte shkruar vetëm dy këngë, ndërsa sot është një autor më i konsoliduar.
Ai zbuloi gjithashtu një bashkëpunim të ri me Paul McCartney, në albumin e ardhshëm të këtij të fundit.
Në maj dhe qershor, Starr do të zhvillojë një turne në SHBA, duke vazhduar të alternojë rolin e bateristit dhe këngëtarit në skenë.
Ndërkohë, ai konfirmoi disa histori të njohura nga e kaluara e tij, përfshirë faktin se ishte i pari nga ” The Beatles” që provoi marihuanën dhe se fraza “A Hard Day’s Night” ishte krijim i tij.
Përtej muzikës, jeta e tij do të pasqyrohet edhe në katër filma të rinj nga regjisori Sam Mendes, ku figura e Starr do të interpretohet nga Barry Keoghan.
Ai u shpreh i qetë për projektin dhe sugjeroi që filmat të shihen të katërt në një maratonë të vetme.
