Mbërritja e kryeministrit Edi Rama në Berat, nuk u shoqërua me prerje kokash të drejtorëve dhe tonet ultimative që kanë parë bashkitë e tjera. Përkundrazi, shefi i qeverisë mblodhi aty sipërmarrësit më të suksesshëm të start-up-eve, duke u premtuar se i gjithë shteti do të jetë në dispozicion të biznesit të teknologjisë.
Ai përmendi lulëzimin e ndërtimeve pa leje në Theth apo abuzimet me fondet e BE-së në bujqësi si një produkt i njeriut të korruptueshëm, gjë që mund ta zgjidhë vetëm teknologjia, sipas Ramës.
Kryeministri është i bindur se nuk është larg koha, kur ministrat nuk do të jenë më njerëz.
“Mund të vijë dita që ministrin X e ke IA. S’ka as kushëri për të futur në punë, s’ka as interesa të asnjë natyre që të prishin proceset, nuk po them që ky është synimi ynë, megjithëse me shumë kënaqësi do ta merrnim përsipër, por është e pafundme kjo botë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Rama theksoi rëndësinë e krijimit të një ure komunikimi të qëndrueshme mes qeverisë dhe sipërmarrësve të rinj, duke ofruar jo vetëm mbështetje institucionale, por edhe financiare. Për Ramë tashmë ka ardhur koha që qeveria të bëhet partnere në këtë botë të re.
“Ne kemi filluar të kuptojmë se si mund të bëhemi partnerë të drejtëpërdrejtë me ju, në funksion të interesave që përpiqemi të mbrojmë, dhe partner në sensin e financimit. Financim jo vetëm nga buxheti, por krijim të instrumentave të tjerë për financimin tuaj”, theksoi Rama.
Kryeministri propozoi gjithashtu ngritjen e një Këshilli për teknologjinë dhe inovacionit, që të mblidhet tre herë në vit, për të adresuar problematikat dhe zhvillimet e reja në këtë sektor dinamik.
“Ja vlen të kemi një Këshill, një forum, ku të mblidhemi të paktën 3 herë në vit për të diskutuar mbi çështjet dhe të rejat, qoftë për mirë qoftë për keq, të katërmujorit të mëparshëm, natyrisht nëse ju jeni dakord”, tha Rama.
Në fokus të diskutimit ishte edhe siguria kibernetike. Ndërsa tha se tashmë Shqipëria është e pavarur në sektorin e shërbimeve dixhitale, Rama theksoi nevojën për rritjen e ndërgjegjësimit në sektorin privat.
“Kemi cloudin tonë në shërbimet tona dixhitale, jemi të pavarur. Por jam i vetëdijshëm sa boshllëqe kemi, sidomos në sektorin privat ku ka mangësi të madhe informuese dhe vetëdijes se çfarë mund të vijë nga ekspozimi ndaj sulmeve kibernetike. Po forcojmë mbrojtjen tonë në sektorin publik, jemi të shqetësuar që sektorin provat nuk po ecën me të njëjtin ritëm. Mund të jemi një ofertë për sektorin provat duke parasysh parasysh talentet që keni arritur të mblidhni”, tha Rama.
Nisur nga kjo, Rama u ndal edhe tek sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë, duke thënë se ende përballemi çdo ditë me sulme, por nuk kanë pasur asnjë sukses. Rama përmendi vetëm sulmin ndaj Bashkisë së Tiranës, duke thënë se nuk ka qenë pjesë e sistemit të mbrojtjes që ka ngritur qeveria.
S’jemi në luftë me një haker anonim, tha kreu i qeverisë, duke shtuar se po planifikojnë ndërtimin e një sistemi dhe detyrimin e të gjitha institucioneve të pushtetit vendor dhe sektorit privat investimin në teknologji. Bizneseve tha Rama përqindjen e investimit do t’ia zbresin nga taksat.
