E diel, 26 Prill, 2026

Rama i ftuar nderi në festivalin në Bavari: Të rishpikim veten për të mbrojtur shpirtin e Europës

Share

Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar i nderit nga qeveria e Bavarisë, për të mbajtur fjalën e rastit në ceremoninë e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele”, ku çdo vit një i ftuar adreson temën e Europës.

Në fjalën e tij kryeministri u shpreh se “ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore”.

“Në sfidën e tij të heshtur, ai është një mbledhje rezistence. Rezistencë ndaj cinizmit që e mpak Europën veç në burokraci. Rezistencë ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor”, shtoi ai.

Rama kujtoi se Europa nuk ka qenë kurrë veç një traktat a një monedhë, as thjesht një parlament apo një treg. Por sipas tij, “Europa ka qenë dhe duhet të mbetet një civilizim”.

“Sot, muzikantët shqiptarë studiojnë në Mynih dhe Berlin. Sot, muzikantët gjermanë interpretojnë në Tiranë. Tani fëmijët tanë rriten pa ëndrrën për t’u arratisur, por për të bashkëpunuar. Kjo nuk është rastësi. Kjo është Europa që bën atë për të cilën është krijuar: të bashkojë përmes krijimit, të lartësojë përmes shkëmbimit”, tha Rama.

Ndërsa kujtoi vizitën e vitit 1984 në Shqipëri të Franz Josef Strauss, figurës madhore e Bavarisë, Rama tha se “Bavaria qëndroi e hapur kur Shqipëria ishte e mbyllur, ndërsa tani Shqipëria është e hapur dhe mirënjohëse”.

“Bavaria na kujton se fuqia ekonomike dhe thellësia kulturore nuk janë të kundërta — janë binjake, se begatia pa poezi është e zbrazët, se pushteti pa kujtesë është i verbër, se Europa pa shpirt, nuk është më Europë. Dhe nëse duhet të riarmatosemi për të mbrojtur tokën europiane, na duhet, njëkohësisht, të rishpikim veten, për të mbrojtur shpirtin e Europës”, shtoi kryeministri Rama.

Kryeministri Rama falënderoi po ashtu kryeministrin Markus Söder, ndërsa u shpreh se “Shqipëria e vlerëson zërin e tij, vizionin e tij për Bavarinë dhe respektin e tij për larminë europiane”.

Te tjera

Lajme te tjera