Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi tregon se shpenzimet në qytetet më të shtrenjta të botës, në Beverly Hills e Las Vegas janë bërë për 10-vjetorin e datëlindjes së vajzës së saj. Ndërsa u paraqit në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje, Kryemadhi nuk u shpëtoi dot pyetjeve mbi provat e reja të SPAK për 240 mijë dollarë shpenzime nga karta e kushëririt të saj, Adrian Shatku.
Kryemadhi pranoi se ka qenë në Beverly Hills e Las Vegas bashkë me Shatku, kushërirën këngëtare Bebe Rexha dhe mikeshat e saj, por duke mohuar që të ketë shpenzuar në total 240 mijë dollarë, aq sa i atribuon SPAK për një periudhë 3-vjeçare, duke thënë se kemi të bëjmë me vetëm një episod në vitin 2015.
“Kam qenë edhe në Beverly Hills, kam qenë edhe në Santa Monika, kam qenë edhe në Las Vegas. Kam qenë në Los Anxhelos, kam qenë me kushëririn tim Adrian Shatku, me tre fëmijët e mi, me kushërirën time Bebe Rexha. Kemi qenë për dhjetëvjetorin e vajzës time. Kanë qenë edhe disa mikesha të mia me fëmijët e tyre pranë”, tha Kryemadhi pasi doli nga SPAK.
Kryemadhi thotë 240 mijë dollarë ishte në total vlera e kartës së Shatkut, duke deklaruar se i ka kërkuar bankës amerikane faturat vetëm për shpenzimet e saj.
“Jo, nuk është dyqind e dyzet mijë dollarë veshje, këto i thotë zemërdhënësi I Partisë së Lirisë së Tedi Blushi, i cili merr direktivat nga SPAK-u, 240 mijë dollarë është gjithë karta e Zotit Adrian Shatku, që është me hotele, me bileta avioni, dreka me darka me akulloren. Secili ka shpenzimet e veta dhe do t’i kërkojë edhe bankës, edhe për sa më përket mua. Cilat janë hotelet e mia? Cilat mund të jenë biletat e avionit?”, vijoi Kryemadhi.
Dënimi për këto shpenzime marrëmandëse për Monika Kryemadhin do duhej të ishte një gjobë nga ILDKPI. Sipas saj, bëhet fjalë për vitin 2015, që edhe nëse s’janë deklaruar, është një vepër e parashkruar.
“Nuk i mbaj mend, unë dhuratat e mia do t’i marr tani, ça më ka marrë. Nuk janë dyqanet e shtrenjta që ta dini, por edhe po të ishin dyqanet shtrenjta, nuk kam ndonjë kompleks, se nuk janë si ata që thonë që s’kemi dhe ndërkohë të tjera. Por do t’i marr, do t’i pyes, edhe do t’i gjej. Kryesisht janë hotele. Përsa i përket qoftë Beverly Hills apo Las Vegas apo Los Anxhelos, janë në periudhën e dy mijë e pesëmbëdhjetës. Që normalisht, edhe në qoftë se si kam deklaruar, është një vepër e parashkruar. Ose dhe po të jetë se nuk është e parashkruar, duhet të më gjobisë ILDKP-ja për atë shpenzim që është”, theksoi ajo.
Për ish-bashkëshortin Ilir Meta, i cili u distancua nga këto shpenzime duke thënë se ka vizituat vetëm bukuritë natyrore shqiptare, Kryemadhi tha se flet me gjuhën e Dumanit, ndërsa një sulm e pati edhe për Tedi Blushin, për të cilin tha se merr direktiva nga SPAK.
“Më vjen shumë keq që babai i fëmijëve të mi vazhdon dhe ripërsërit deklaratat e Altin Dumanit, të Sotir Kllapit dhe të Arben Krajës, gjë që ka të bëjë çështje dhe këndvështrime të ndryshme të asaj që lexojmë në një dosje të përbashkët”, tha Kryemadhi.
Në mbrojtje mori kushëririn e saj Shatku.
“Duhet të kuptoni që Shatku s’ka të bëjë me buxhetin e shtetit, me tenderat, me shpenzime përfitime nga qeveria shqiptare apo taksapaguesit shqiptarë Ai është kompani amerikane që punon 56 vende të botës. S’ka marrë lekë. Lejen për të ndërtuar fibrën optike në rrugën kombëtare, ja ka dhënë me KKT Harito, Rama”, vijoi Kryemadhi.
Një letërporosi e kthyer nga Departamenti i Drejtësisë në drejtim të Tiranës, bëri që SPAK të zbulonte se Kryemadhi për një periudhë 3-vjeçare, shpenzoi 240 mijë dollarë për veshje, hotele e bileta avioni përmes një kartë krediti të vënë në dispozicion nga Ardian Shatku, kushëri i saj, që nuk dihet më parë. Kjo është prova e re që SPAK ka në duar, teksa dyshon se blerjet janë edhe më të mëdha.
