Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi do të përballen për herë të parë me drejtësinë për aferën korruptive të privatizimit të ish-klubit Partizani. Ish-kryeministri zgjodhi që të mos paraqitet në seancën e parë në themel në GJKKO, duke përdorur taktika zvarritjeje me fletëthirrjen, ndërsa mungoi edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, me argumentin se është sëmurë. Para trupit gjykues u paraqit vetëm dhëndri Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja, ndërsa mungoi edhe Andia Pustina dhe as kompania ‘Homeplane’ nuk kishte përfaqësues ligjor.
Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë dërguar të premten e 27 qershorit fletëthirrjen për Sali Berishën, e cila është firmosur nga Jamarbër Malltezi. Trupa gjykuese e pyeti Malltezin nëse e ka njoftuar vjehrrin e tij, por ky i fundit pranoi se nuk e kishte njoftuar, pasi sipas tij ishte një kohë e shkurtër, duke thënë se as nuk kishte dijeni nëse Berisha e ka marrë njoftimin që sot në GJKKO do mbahej seanca.
“Njoftimi ka shkuar ditën e premte për Berishën, është firmosur nga Malltezi. Koha ka qenë e shkurtër për tu njoftuar sipas shpjegimit që dha Malltezi. Edhe ne nuk kemi patur kontakte gjatë kësaj kohe”, tha në seancë avokatja e Berishës, Klodiana Gjyzari.
Malltezi dhe Xhimi Begeja ishin të vetmit që u paraqitën në seancë para trupës gjykuese, ndërsa mungoi po ashtu biznesmeni Fatmir Bektashi dhe Andia Pustina. As kompania ‘Homeplane’ nuk kishte përfaqësues ligjor.
Në mungesë të Berishës dhe me kërkesë të prokurorit të SPAK Arben Krajës, i cili deklaroi se ish kryeministri nuk është njoftuar në përputhje me ligjin, treshja me kryesuese Elsa Ulliri dhe relatorë Bib Ndreca dhe Rudina Palloi, vendosën që ta shtyjnë seancën më datë 21 korrik ora 10:30.
Ndërkohë, burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi bëjnë me dije se gjyqtarja Ulliri ka kërkuar dorëheqjen nga gjykimi i dosjes së aferës Partizani. Të njëjtat burime sqarojnë se dorëheqja i është dorëzuar vetëm 10 ditë më parë (rreth datës 20 qershor) drejtuesit të GJKKO, Erion Bani me argumentin se kërkon të tërhiqet nga kjo çështje pas është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri. Kujtojmë që trupa gjykuese e aferës Partizani u zgjodh më datë 2 qershor dhe mbetet e paqartë se përse gjyqtarja Ulliri hezitoi 2 javë për të dorëzuar kërkesën për dorëheqjen, pasi lidhja e saj me deputeten demokrate u bë edhe debat publik.
Për sa kohë nuk kemi një vendim nga Erion Bani, treshja e gjyqtarëve të aferës Partizani mbetet e njëjtë, por nuk marrin dot vendime. Për këtë arsye, sot në orën 09:30 GJKKO u shty një tjetër seancë për dhëndrin Jamarbër Malltezi, i cili kërkonte revokim të masës arrest shtëpie. Seanca u shty më datë 7 korrik, pasi kërkesa do të shqyrtohej nga Ulliri.
Berisha dhe Malltezi sulmojnë drejtësinë
Si Berisha edhe dhëndri i tij, sulmuan drejtësinë duke e quajtur një proces farsë, që sipas tyre është ndërmarrë me urdhër të Edi Ramës. Vetë Berisha, që i ndoqi në distancë zhvillimet nga Struktura e Posaçme, anuloi edhe konferencën e çdo të hëne, ndërsa gjyqin e quajti një piramidë mashtrimi.
“Kapja dhe përdorimi i drejtësisë si armë politike është tipar kryesor i regjimeve autokratike të korruptuara. Sot fillon procesi gjyqësor politik në GJKKO për dosjen “Partizani”, fund e krye një piramidë mashtrimi.
Fill pas urdhrit publik të Edi Ramës në Kongresin e PS në Prill 2022 drejtuar SPAK për të proceduar penalisht Sali Berishën, prokurorët e nënshtruar dërguan 16 kërkesa brenda muajit duke nisur hetim 30 vjeçar shtrirë në 3 breza ndaj Sali Berishës deri tek mbesat e palindura të tij”, shkroi Berisha.
“Menjëherë pas urdhrit të Edi Ramës në kongresin e PS në prill 2022, prokurorët politikë të nënshtruar kanë bërë 16 kërkesa brenda muajit. Edi Rama i dha komandën SKAP-it dhe menjëherë vepruan”, u shpreh Malltezi.
Dosja ‘Partizani’
Dosja për aferën Partizani, kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe pasi u mbajt peng prej 7 muajsh. Asnjë nga të pandehurit nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka do të thotë që do të jetë një proces i gjatë. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Dosja ‘Partizani’, të pandehurit:
1-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin
2-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
3- Fatmir Bektashi – , akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
4- Xhimi Begeja– Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim
5- Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k – Akuzohet për ‘Pastrim Parash’.
6-Studio Pustina sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
7-Shoqëria Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
8-Shoqëria Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
