E diel, 3 Maj, 2026

SPAK trondit serish Arben Ahmetajn, e merr të pandehur për aferën 7 miliardë lekëshe, ja dosja “përvëluese” që do fundosë ish-zv/kryeministrin 

Share

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar dje hetimet, ndërsa ka çuar në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) dosjen në ngarkim të ish-kryeministrit Arben Ahmetajt lidhur me privatizimin e ish-furrës së bukës, duke tronditur kështu ish-vartësin e kryeministrit Edi Rama. Ndaj Ahmetajt është ngritur akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë, teksa ish-numri dy i qeverisë ndodhet prej muajsh në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Elbasanit dhe pasurinë e pajustifikuar. Prokuroria e Posaçme vijon hetimin për 7 persona të tjerë, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe ndaj biznesmenit Lirim Fezollari, i cili sipas SPAK, edhe përfitoi nga privatizimi në kohën kur Ahmetaj ishte ministër i Financave. Por vetëm këtij të fundit i është komunikuar akuza përmes avokatit të tij. Dyshohet se mes Ahmetajt dhe biznesmenit ka pasur marrëdhënie përtej komunikimit institucional, nga e cila ka arritur të privatizojë aksionet e shoqërisë “Buka Sh.a”. e ndodhur në një nga pikat më të lakmuara të Tiranës. Lidhur me këtë procedurë paraardhësi i Ahmetajt Shkëlqim Cani e kishte refuzuar, teksa ky i fundit është pyetur nga SPAK lidhur me këtë çështje muaj më parë. Prona prej mijëra metrash katror i është njohur prej vitit 1994 nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit, familjes Myderzi. Por përmes një procedure ankandi të hapur në 2014 dhe që kanë vijuar më pas ankande e procedura të tjera deri në 2022, përfitues i aksioneve shtetërore të kompanisë është bërë biznesmeni Lirim Fezollari. Ish-zv/kryeministri, ndodhet në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dy procedimeve të mëparshme të bashkuar në një të vetëm, për “Fshehje të pasurisë”,  “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”. Atij i janë sekuestruar disa pasuri dhe prona dhe një pjesë e tyre dyshohet të jenë vënë falë marrëdhënies me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri që ndodhen po ashtu në kërkim.

Te tjera

Lajme te tjera