Nesër nis rinumërimi për të gjitha qendrat e votimit në Fier dhe Tiranë, ndërsa do nisë pjesërisht ky proces për Durrësin dhe Elbasanin.
Pas kërkesës së koalicionit opozitar Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, në kryeqytet pritet të rinumërohen 1282 kuti votimi.
Në total, do të hapen 2.323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kutitë e votimit nga jashtë vendit. Procesi zhvillohet për 4 qarqet Tiranë, Fier, Elbasan dhe Durrës dhe do kushtojë rreth 21 mln lekë të rinj. KQZ ka deklaruar se nuk do të kërkojë buxhet shtesë, pasi ka kursyer dhe buxheti 21 mln lekë të rinj do të shkojë për sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të rezultateve, infrastrukturën logjistike dhe për zarfe e materiale ndihmëse.
Opozita shpreson të gjejë 1300 vota në favor të saj, që do t’i japin mandatin e 14-të, që në garën e 11 majit pas numërimit të votave të emigrantëve, ia mori Partia Mundësia. Rinumërimi në Tiranë rrit shanset edhe për ata që patën një garë të ngushtë në listë të hapur, por nuk ia dolën të fitonin mandatin.
Ndërsa për Fierin, Partia Demokratike thotë se në kutitë e votimit ka prova që faktojnë manipulimin e procesit elektoral, ndonëse në qarkun e Fierit koalicioni ASHM arriti të marrë vetëm 4 mandate, kundrejt 12 që mori Partia Socialiste. Në total do të hapen 587 kuti votimi.
Po ashtu, pritet hapja e 97 kutive të Peqinit dhe Gramshit për të verifikuar parregullsitë që pretendohen nga PD. Fletët nuk do të rinumërohen për efekt rezultati por vetëm për të krahasuar të dhënat në kuti me ato të procesverbale.
Njoftimi i plotë:
Procesi i rinumërimit nis nesër në datë 17 Qershor 2025
Vendimi i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vënë në lëvizje KQZ dhe një nga operacionet më të rëndësishme zgjedhore pas votimit: rinumërimin e kutive të votimit. Ky proces garantohet nga profesionalizmi i administratës së KQZ-së dhe transparenca ndaj publikut duke transmetuar direkt online çdo veprim të kryer!
Çfarë përfshin rinumërimi
Në total, do të hapen 2.323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kutitë e votimit nga jashtë vendit.
Procesi zhvillohet nga 24 grupe numërimi, me 63 punonjës të administratës (48 numërues + 15 zëvendësues).
Rinumërimi realizohet në 24 tavolina, ku janë të pranishëm vëzhguestë autorizuar nga 3 subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, PS dhe Partia Mundësia.
Ku po zhvillohet rinumërimi? I gjithë procesi realizohet në Pallatin e Sportit Farie Hoti në Tiranë dhe transmetohet live në rrjetet sociale të KQZ
Për cilat qarqe zhvillohet rinumërimi?
QARKU TIRANË
Të gjitha kutitë e votimit brenda vendit
18 KZAZ
1.282 qendra votimi
QARKU FIER
Të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët
9 KZAZ
587 qendra votimi
QARKU DURRËS
Rinumërim i plotë për:
▪️ 111 QV të KZAZ nr. 21 dhe 22
▪️ 126 QV të listuara nga PD-ASHM
▪️ 60 QV të kërkuara nga PLL
Përfshirë edhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit
Në total: 360 kuti për rinumërim (275 brenda vendit + 85 jashtë)
QARKU ELBASAN
94 QV të KZAZ nr. 45 dhe 52 (fletë votimi dhe materiale zgjedhore)
Transparencë edhe për buxhetin:
7.858.600 lekë për sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të rezultateve
8.480.000 lekë për infrastrukturën logjistike
4.775.450 lekë për zarfe dhe materiale ndihmëse
Procesi i rinumërimit është një tjetër dëshmi e përkushtimit të KQZ-së për zgjedhje transparente, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.