Dy ditë pasi u prezantoi qytetarëve platformën “Besa” të cilën e konsideron si kthesën e madhe të qeverisjes për mandatin e katërt, Edi Rama kujdeset të theksojë se zgjatja e dorës është për cilindo, përveç atij grupimi që vijon i qëndron poshtë zyrës, edhe pse protestuesit e vërtetë sipas tij kanë ikur.
“Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove. Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve. Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta”, shkruan Rama.
Atyre që ironizuan platformën Besa dhe me insistim i kërkojnë dorëheqjen, kryeministri ua bën të qartë se nuk do të bëjë asnjë hap pas. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan se dorëheqjen nuk e negocion me sorrat e me flamingot, të cilëve u thotë të rrinë poshtë penxheres deri në 2029-ën, pasi kontratën e ka me 800 mijë shqiptarët që e votëbesuan në zgjedhjet e 2025-ës.
“As mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!”, shkruan Rama.
‘Besa’, dokumenti strategjik i njoftuar dy ditë më parë nga kryeministri Edi Rama si një shenjë reflektimi nga e ashtuquajtura “protesta e flamingove”, do të ketë si test të parë pikërisht projektin e Zvërnecit.
Brenda 90 ditësh synohet të zhvillohen dëgjesa, përfshirë dhe grupet që protestuan si dhe të bëhen publike dokumente apo të realizohet një vlerësim paraprak, për të marrë më pas një vendim për të ardhmen e projektit. Dokumenti i qeverisë, të cilin Report Tv e disponon, i lë të hapura të gjitha opsionet.
Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama
Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes WhatsApp-it, nga miq a të panjohur, muhabete* sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment:
Përsërisin që s’duan “dialog”, s’ka “negociata”, s’japin “besë” po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh.
Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!
Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove.
Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve.
Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë.
Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike.
