Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në bashkëbisedimin e sotëm online me qytetarët deklaroi se, Edi Rama dhe qeveria e tij po përballet me një krizë të thellë politike dhe morale, ndërsa protesta qytetare, po fiton përmasa gjithnjë e më të mëdha. Kreu i opozitës e cilësoi javën që lamë pas si një nga më të tensionuarat e muajve të fundit, duke akuzuar Edi Ramën se përdori shumicën parlamentare për të miratuar ligje në funksion të interesave të tij kriminale dhe të oligarkëve, ndërkohë që, sipas tij, iu shmang plotësisht kërkesave të protestuesve.
‘Në vend që të dëgjonte zërin e qytetarëve, Edi Rama përdori forcën e kartonave të tij të krimit për të votuar ligje që mbështesin interesat e tij kriminale dhe të oligarkëve’, u shpreh Berisha gjatë të fjalës së tij, duke shtuar se protesta nuk është zbehur, por ‘dallga e kësaj lëvizjeje jo vetëm që nuk po shuhet, por po bëhet gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij.’
Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi kryeministrin se ka refuzuar të përballet me kërkesat që, sipas tij, janë shprehur prej javësh nga protestuesit. Sipas kreut demokrat, kërkesa kryesore mbetet largimi i Edi Ramës nga detyra, pasi, sipas tij, ‘Edi Rama nuk është kryeministër legjitim’, duke pretenduar se qeveria aktuale buron nga zgjedhje të manipuluara dhe nga një sistem që mbështetet te korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Lideri i opozitës Sali Berisha ia kushtoi një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij edhe reformës territoriale. Ai akuzoi qeverinë se u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga procesi konsultues, duke mos marrë në konsideratë propozimet e opozitës dhe të ekspertëve. Berisha tha se Partia Demokratike kishte përgatitur një projekt alternativ të reformës territoriale, ndërsa akuzoi Ramën se zgjodhi përplasjen politike në vend të dialogut institucional. ‘Ai bën gjithçka për një konfrontim’, deklaroi Berisha, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos e lënë reformën ‘në duart e Edi Ramës’, por të mbështesin protestën qytetare.
Drejtuesi i PD-së Sali Berisha, u ndal edhe te zhvillimet e fundit që lidhen me sjelljen publike të kryeministrit ndaj një fëmije me autizëm. Berisha e cilësoi këtë episod si një akt të papranueshëm dhe tha se ‘gjest më të ulët dhe më çnjerëzor nuk mund të kishte’. Ai shtoi se sjellja e Ramës ‘e nxjerr në nivelin e instinkteve më bazale, më shtazore të njeriut’, ndërsa kritikoi edhe mungesën e reagimit nga organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve.
Gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të qytetarëve, kryedemokrati Sali Berisha paraqiti edhe disa nga propozimet ekonomike të Partisë Demokratike për përballimin e rritjes së çmimeve. Ai përmendi vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh, uljen e TVSH-së për produktet ushqimore në 6 për qind ose heqjen e saj, si dhe dyfishimin e pagave dhe pensioneve. Sipas tij, këto masa do të ndihmonin në zbutjen e krizës së kostos së jetesës dhe në mbrojtjen e shtresave më të goditura nga inflacioni.
