Gjatë prezantimit të dokumentit strategjik “BESA” përpara anëtarëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtarëve të Kabinetit Qeveritar, kryeministri Edi Rama ka shpallur një qasje të re të qeverisjes, duke e cilësuar mandatin e katërt si fazën e kalimit nga transformimi i vendit te fuqizimi i besimit.
Një nga risitë më të rëndësishme të dokumentit është krijimi i një Njësie BESA pranë Kryeministrisë, e cila do të ketë rolin e koordinimit të metodologjisë së re të qeverisjes. Sipas dokumentit, kjo njësi do të monitorojë zbatimin e standardeve të reja, do të ndjekë proceset e konsultimit publik dhe do të koordinojë zbatimin e mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies në të gjitha institucionet.
Praktikisht, dokumenti parashikon që vendimet strategjike të mos mbeten vetëm në dorën e ministrive, por të kalojnë përmes filtrit të Njësisë BESA pranë Kryeministrisë. Kjo do të thotë se, për shumë politika publike, koordinimi dhe kontrolli do të centralizohen në zyrën e Kryeministrit, duke i dhënë kësaj strukture një rol kyç në vendimmarrje.
Një tjetër element i dokumentit është krijimi i platformës “Flamingo Mirror”, një sistem dixhital ku qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin dokumentet shoqëruese të reformave, analizat, konsultimet publike, afatet e zbatimit dhe rezultatet e politikave. Emri i platformës lidhet me protestën e flamingove në Vjosë-Nartë, të cilën Rama e ka konsideruar si një moment reflektimi për mënyrën se si qeveria komunikon dhe dëgjon qytetarët.
Dokumenti përshkruan gjithashtu atë që mund të konsiderohet një “Rilindje 2.0”, ku fokusi nuk është më ndërtimi i infrastrukturës, por ndërtimi i besimit mes shtetit dhe qytetarëve. Sipas tij, Shqipëria ka kaluar fazën kur qytetarët kërkonin vetëm rrugë, shkolla dhe spitale; tani kërkojnë institucione që dëgjojnë, shpjegojnë vendimet dhe mbajnë përgjegjësi.
Në dokument propozohet që çdo politikë e rëndësishme të paraprihet nga dëgjesa publike, analiza e ndikimit, memorandume shpjeguese dhe mekanizma të matjes së performancës. Po ashtu parashikohet krijimi i një Barometri Kombëtar të Besimit, për të matur perceptimin e qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore.
Një kapitull i veçantë i kushtohet edhe administratës publike, ku argumentohet se nuk mjafton më realizimi i investimeve, por kërkohet ndryshim i kulturës së punës, profesionalizëm më i lartë, ruajtje e dijes institucionale dhe shërbim më cilësor ndaj qytetarëve.
Dokumenti “BESA” synon ta shndërrojë besimin në treguesin kryesor të suksesit të qeverisjes, duke vendosur në qendër transparencën, konsultimin publik dhe përgjegjësinë institucionale. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të funksionojë në praktikë modeli i ri i koordinimit nga Kryeministria dhe çfarë ndikimi do të ketë ai në rolin e ministrive dhe në procesin e vendimmarrjes.
