Ish-nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, thotë se ndonëse nuk është e përfshirë në politikën aktive dhe në parti, vijon të jetë e angazhuar.
Në emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos, ajo rrëfeu se ka bërë një distancë të shëndetshme para se të ulej dhe të shkruante për politikën, në librin e saj “Politika si ide”.
Leskaj thotë se nga politika iku vetë dhe se do të ishte e tepërt të thoshte nga halli, duke kujtuar se kur iku ka bërë një deklaratë se do të do dëshironte që t’ia linte vendin një të riu ose më saktë një të reje që të ketë më shumë gra në politikë.
Ish-deputetja socialiste tregon se gjëja që e ka tronditur kur ka hyrë në politikë dhe e ka përjetuar edhe më vonë, ishte fakti që kurrë nuk e kishte besuar që politika ishte aq ndarëse sa është në të vërtetë.
Askush nuk e beson se sa ti e prek kur je brenda. Ky është problem shumë i madh kur politika bëhet ndarëse jo bashkuese. Në radhë të parë njëra palë nga tjetra.
E identifikoj politikën me atë që në libër e kam quajtur pushteti i gjuhës apo gjuha e urrejtjes, politika është kontributore në këtë gjë. Jam përpjekur në politik të jap një mesazh modest, një qëndrim jo konfliktualiteti, jo urrejtje, jo gjuhë ndarëse, një debat i cili peshon nga argumenti, jo nga agresiviteti.
Politika e ka bërë këtë të keqe, media ka rënë në këtë kurth dhe e përdor për interesa të saj, për interesa të klikimeve. Problemi më i madh që kam ndjerë dhe nga brenda është që kjo lloj kulture dhe gjuhe ka ndikuar tek të rinjtë, dhe ndonjëherë nxënësit i kalojnë dhe profesorët bëhen edhe më të egër. E shohin këtë si mundësi suksesi.
Ky është dëmi më i madh që i kanë bërë politikën agresiv politikës në Shqipëri se kopjohet modeli nga të rinjtë. Se duan ti bëjnë qejfin shefit, kopjojnë. Jam totalisht kundër modeleve të grave që kopjojnë modelin e maços së fortë, një model mashkullor.
Kam pasur dhe raste debatesh në parlament, kur drejtoja seancat, kur ka pasur konflikte. Në një mbledhje të Byrosë, një deputete më ka thënë që duhet të na mbrosh ne, se jemi gratë.
Gratë nuk duhen mbrojtur për shkak të gjinisë, por duhen mbrojtur kur diskriminohen për shkak të gjinisë. Nuk duhet të marrim apriori barazinë, ne duhet të kemi barazinë e mundësive si gra dhe kur kemi barazinë e mundësive si gratë edhe burrat.
Nuk është kuotë për gratë, është kuotë gjinore. Është barazi e mundësive. Nuk jam për modelin e fortë të gruas.
Leskaj thotë se ka keqkuptim dhe në mënyrën e trajtimit të gruas dhe se merret si në mënyrë personale, se me që Edi Rama pëlqen disa gra, i merr dhe i vë në pushtet dhe kjo është arsyeja pse kanë ardhur.
Sipas saj, kjo ka të bëjë me qasjen që ka Rama apo me vlerësimin që ka ndaj grave, duke shtuar se nuk është nga ato që del dhe thotë se gratë e bëjnë më mirë punën se burrat, sepse kjo nuk ka të bëj me gjininë.
Por Leskaj i qëndron bindjes se disa gjëra janë të provuara, që gratë kanë rezultuar më pak të korruptuara dhe hapin më pak probleme në këtë drejtim, në Shqipëri por edhe në botë.