E shtunë, 12 Shtator, 2026

“Teatër të premteve pasdite”, Dervishi ironizon Ramën: Dëgjojnë hallet, bëjnë foton dhe kaq

Share

Gazetari Lufti Dervishi ka kritikuar ashpër nismën “Prania Besnike”, përmes së cilës deputetët takohen çdo të premte me qytetarët për të dëgjuar dhe evidentuar problematikat e tyre.

Dervishi e cilësoi nismën si një shfaqje populiste dhe vuri në dyshim nëse ajo mund të konsiderohet reflektim real i qeverisë përballë protestës dhe pakënaqësisë qytetare. Sipas tij, mes mesazheve publike të qeverisë dhe veprimeve konkrete ekziston një mospërputhje.

“Po i dëgjojmë fjalët, por po i shohim edhe veprimet. Ka një mospërputhje mes asaj çka thuhet dhe asaj çka bëhet”, tha Dervishi.

Ai argumentoi se populizëm është vendosja e liderit mbi institucionet dhe krijimi i përshtypjes se problemet e qytetarëve mund të zgjidhen përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me kreun e qeverisë, në vend të funksionimit institucional.

“Populizmi është lideri mbi institucionin. Populizëm është që ta kthesh shtetin në WhatsApp apo portal. Populizëm është që për problemet më të mëdha të bësh sikur po bën zgjidhje”, u shpreh ai.

Dervishi u ndal veçanërisht te takimet e së premtes mes deputetëve dhe qytetarëve, teksa i cilësoi si “veprime teatrore”.

“Më duket pak qesharake, takimi i së premtes, i xhumasë pasdite, po dëgjojmë halle, po bëjmë edhe një foto. Çfarë është kjo?! Edhe Estrada e Ushtarit ka pasur pak më shumë cilësi. Pak më shumë përmbajtje”, shtoi gazetari.

Sipas Dervishit, qeveria është mësuar prej vitesh të përballet me kundërshtarin politik, por situata ndryshon kur përballë saj ndodhet pakënaqësia qytetare dhe jo opozita.

“Qeveria është mësuar me armikun, kundërshtarin prej vitesh, dhe e di si do ta përballojë, por s’e ka të qartë që s’është opozita përballë”, deklaroi ai.

Gazetari e përfundoi kritikën ndaj nismës me tone të forta: “Kush është ideja, propagandë dhe më shumë propagandë. E shëmtuar!”.

Për Dervishin, reflektimi i qeverisë nuk duhet të mbetet në nivel deklaratash apo takimesh publike, por të shoqërohet me vendime dhe masa konkrete.

Te tjera

Lajme te tjera