E shtunë, 12 Shtator, 2026

Rama: Me rëndësi ngritja e Cloud-it publik kombëtar

Share

Kryeministri Edi Rama vuri sot theksin te nevoja për përshpejtimin e transformimit digjital të sektorit privat në Shqipëri, duke e cilësuar shqetësuese nivelin e ulët të përdorimit të teknologjive të reja dhe Inteligjencës Artificiale nga bizneset.

Gjatë fjalës së tij në Forumin e Dytë të Inovacionit, me fokus te Inteligjenca Artificiale dhe zhvillimi i sektorit të teknologjisë në Shqipëri, Rama deklaroi se 3.4 milionë subjekte, qytetarë dhe biznese janë të regjistruar në platformën “e-Albania”.

Sipas kryeministrit, vendi ka bërë progres të rëndësishëm në digjitalizimin e sektorit publik dhe renditet sot në një pozicion të konsiderueshëm në indeksin e shërbimeve online të Kombeve të Bashkuara.

“Sot ne kemi po ashtu një fatmirësi sepse në platformën “e-Albania” kemi 3.4 milionë subjekte, qytetarë dhe biznese të regjistruar dhe në indeksin e shërbimeve online të Kombeve të Bashkuara renditemi në një pozicion që jo shumë vite më parë as nuk mund ta imagjinonim që do të ishte pozicioni i Shqipërisë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “është domosdoshmëri që ne tanimë të ngremë një strukturë publike “cloud-i’’ dhe një kapacitet kompjuterik kombëtar që të bëjë të mundur që të dhënat shtetërore të jenë të aksesueshme, në mënyrë të sigurt qoftë për sipërmarrjen, qoftë për botën akademike”.

Kreu i qeverisë shtoi se “një katalog kombëtar të të dhënave të hapura me standarde ndërveprueshmërie është i domosdoshëm që shërbimet dhe platformat të ndërtohen gjithmonë e më shpejt, por edhe gjithmonë e më të saktë dhe ndërkohë kemi filluar të eksplorojmë mundësinë e ngritjes së data center-ave”.

Rama theksoi se “nga ana tjetër nëse sektori publik, qeveria shqiptare, institucionet kanë një avantazh të madh sot për shkak të progresit të madh që kemi bërë nga ana e sektorit publik, në sektorin privat jemi shumë mbrapa”.

“Kemi vetëm 24% biznese që tregtojnë online. Është një shifër shumë e ulët. Kemi vetëm 9% sipërmarrje që përdorin Inteligjencë Artificiale dhe kundrejt mbi 90% të qytetarëve që kanë akses online, është një shifër shqetësuese”, tha Rama.

Te tjera

Lajme te tjera