E shtunë, 12 Shtator, 2026

Kryepolici Skënder Hita takim me strukturat e Policisë në Korçë, Tiranë dhe Dibër: Godisni grupet kriminale dhe ndaloni ata që lëvizin me armë e drogë

Share

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka zhvilluar këtë të premte takime me strukturat e Policisë në Korçë, Tiranë dhe Dibër, ku kërkoi intensifikimin e punës për goditjen e grupeve kriminale, kapjen e shtetasve që lëvizin me armë dhe drogë, arrestimin e personave në kërkim dhe forcimin e luftës kundër krimeve kufitare.

“Intensifikoni punën për goditjen e grupeve kriminale, për kapjen e shtetasve që lëvizin me armë dhe drogë; kapni shtetasit në kërkim dhe luftoni krimet kufitare”, ka qenë porosia e prerë e kryepolicit.

Drejtori Hita vuri theksin fillimisht te siguria e nxënësve në prag të fillimit të vitit të ri shkollor. Për përmbushjen e këtij prioriteti absolut, ai kërkoi që zbatimi i planit të masave për garantimin e perimetrit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor të monitorohet personalisht nga drejtuesit e strukturave të Policisë vendore, të cilët duhet të jenë në dijeni të problematikave dhe dinamikave që lidhen me shkollat në qarkun përkatës.

Në këtë kuadër, Drejtori kërkoi intensifikimin e kontrolleve brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, për përcaktimin dhe goditjen e elementeve që nxitin nxënësit në veprimtari kriminale. Gjithashtu, gjatë takimeve kërkoi nga strukturat vendore dhe kufitare të Policisë:

– goditjen e krimeve të rënda, armëmbajtjes pa leje, veprave penale në fushën e narkotikëve dhe grupeve kriminale;

– forcimin e luftës kundër krimeve kufitare dhe trafiqeve, nëpërmjet hetimeve proaktive;

– përmirësimin e performancës së Policisë dhe shërbimin me etikë ndaj qytetarëve, nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë dhe të drejtpërdrejtë;

– rritjen e sigurisë rrugore dhe përdorimin efektiv të teknologjisë, me objektiv parandalimin e aksidenteve.

Më tej, Drejtori theksoi rëndësinë e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit, si elementi kyç i përmbushjes së detyrave funksionale.

Kryepolici Skënder Hita u shpreh se ky besim rritet vetëm duke intensifikuar punën, angazhimin dhe burimet njerëzore, për të adresuar në mënyrë shteruese apo pretendimet e qytetarëve që i adresohen Policisë, nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes dhe adresave zyrtare të saj.

Te tjera

Lajme te tjera