E diel, 4 Tetor, 2026

Takimi me aleatët/ Berisha: Dalja e opozitës jashtë institucioneve i intereson vetëm Ramës, rruga e vetme është protesta për largimin e tij

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, ku në qendër të diskutimeve ishte reforma territoriale dhe strategjia e opozitës për përballjen me mazhorancën.

Gjatë fjalës së tij për Reformën Territoriale, Berisha tha se PD u angazhua në këtë proces pas kërkesave të qytetarëve dhe në kuadër të rekomandimeve të Komisionit Europian. Ai akuzoi mazhorancën se e ka ndërprerë procesin e konsultimeve dhe ka vijuar me një projekt për 46 bashki, ndërsa opozita ka paraqitur një alternativë me 100 bashki.

Berisha theksoi se, ndryshimet e propozuara nga qeveria synojnë përqendrimin e pushtetit vendor dhe se kriteret territoriale janë zëvendësuar, sipas tij, nga interesa elektorale. Ai tha se PD do të vijojë të mbrojë projektin e saj në Kuvend ku përmendi edhe protestat e zhvilluara në disa bashki kundër shkrirjes së tyre.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së liderit demokrat iu kushtua qëndrimit që duhet të mbajë opozita ndaj institucioneve. Ai e cilësoi situatën politike një përballje me një regjim që nuk respekton të drejtat e opozitës dhe tha se PD ka dy alternativa: daljen nga institucionet ose vijimin e betejës brenda tyre.

Berisha u shpreh kundër bojkotit të institucioneve, duke argumentuar se largimi i opozitës nga Kuvendi do t’i shërbente mazhorancës. Sipas tij, edhe në kushtet kur të drejtat e opozitës nuk respektohen, prania në institucione mbetet e nevojshme për të denoncuar dhe kundërshtuar vendimet e qeverisë.

“Dalja e opozitës jashtë institucioneve i shërben vetëm atij”, deklaroi Berisha, duke iu referuar kryeministrit Rama.

Kryetari i PD-së tha se opozita ka përdorur Kuvendin dhe institucionet e drejtësisë për të denoncuar një numër të madh çështjesh dhe akuzash ndaj qeverisë. Ai përmendi në mënyrë të veçantë reformën territoriale, duke thënë se mazhoranca e ndërpreu procesin e konsultimeve, pasi rezultati i tyre nuk i interesonte.

Berisha u ndal edhe te funksionimi i Kuvendit, duke theksuar se opozitës po i mohohet e drejta për të kërkuar debate dhe mocione parlamentare për çështje të rëndësishme. Ai përmendi në këtë kontekst edhe çështjet që lidhen me institucionet e sigurisë.

Në pjesën përmbyllëse të fjalës së tij, Berisha tha se opozita duhet të vijojë betejën brenda institucioneve, por paralelisht të mobilizojë qytetarët për protesta.

Sipas tij, protesta është rruga që duhet ndjekur për largimin e qeverisë. Berisha tha gjithashtu se nuk pret që ndryshimi politik të vijë përmes SPAK-ut, duke theksuar se institucionet e drejtësisë nuk do të mund ta largojnë Edi Ramën.

Takimi me aleatët vjen në një moment kur reforma territoriale pritet të jetë një nga çështjet kryesore të debatit politik në Kuvend, ndërsa opozita ka paralajmëruar kundërshtimin e saj dhe mobilizimin qytetar kundër projektit të mazhorancës.

Te tjera

Lajme te tjera