Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi këtë të shtunë komunikimin e përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale, ku në fokus të diskutimit ishte aksioni opozitar dhe çështjet më të debatueshme të aktualitetit politik.
Në nisje të bashkëbisedimit, Berisha foli për qëndrimin e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, ku tha se kishte ngritur shqetësime për situatën politike në Shqipëri, qeverisjen dhe zhvillimet në rajon. Ai u shpreh se një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte përqendruar te akuzat që ai i adreson qeverisë Rama, si dhe te çështjet që lidhen me Kosovën dhe proceset gjyqësore në Hagë.
Në sesionin pyetje-përgjigje me qytetarët, Berisha u pyet fillimisht për aksionin opozitar dhe nëse ka ardhur momenti për një përshkallëzim të tij, në kushtet kur opozitës po i bllokohen instrumentet e kontrollit parlamentar. Berisha u shpreh dakord me shqetësimin dhe tha se mohimi i të drejtave të deputetëve të opozitës është kthyer në praktikë të zakonshme.
Një nga pyetjet kryesore lidhej me reformën territoriale. I pyetur se si do të veprojë PD nëse reforma territoriale dhe ajo zgjedhore miratohen pa konsensusin e opozitës, Berisha dha një përgjigje të prerë: “Protestë, protestë dhe vetëm protestë”. Ai theksoi se zgjedhjet janë të kapura dhe akuzoi mazhorancën se po ndërmerr ndryshime ligjore që, sipas tij, ndikojnë në hetimin e krimeve zgjedhore.
Një qytetare e pyeti Berishën për kullën që pritet të ndërtohet në zonën e Tajvanit. Kryedemokrati deklaroi se është kundër projektit dhe tha se PD po mbledh firma për një peticion dhe referendum lokal. Ai shtoi se opozita do të mbështesë protestat kundër ndërtimit.
Në vijim, Berisha u pyet për deklaratën e tij në Strasburg se mbi 90% e mediave kontrollohen nga qeveria ose interesa të lidhura me të. Ai tha se kjo shifër nuk është e PD-së, por buron nga raporte ndërkombëtare dhe vëzhgime mbi zgjedhjet në Shqipëri. Berisha theksoi gjithashtu se analizat e opozitës në disa media kombëtare tregojnë një përqendrim të lartë të lajmeve dhe debateve te aktiviteti i qeverisë.
Një tjetër qytetar e pyeti për alternativën ekonomike të PD-së. Berisha prezantoi disa prej masave që do të ndërmerren në rast qeverisjeje, duke përmendur dyfishimin e pagave dhe pensioneve në mandatin e parë, vendosjen e minimumit jetik në 200 euro, rimbursimin e plotë të ilaçeve për pensionistët dhe heqjen e taksave për mallrat bazë. Ai përmendi gjithashtu uljen e taksave për biznesin, pesëfishimin e mbështetjes për fermerët, kredi pa interes për familjet e reja dhe masa për rikthimin e emigrantëve.
Pyetjet e qytetarëve u ndalën edhe te pastrimi i parave dhe sektori i ndërtimit. Berisha e lidhi zhvillimin e lartë të ndërtimit me pastrimin e parave me origjinë kriminale dhe akuzoi qeverinë se ka krijuar kushtet për këtë fenomen. Ai përmendi gjithashtu problemet e ekonomisë, zhvlerësimin e monedhave dhe rënien e prodhimit industrial e bujqësor.
Një tjetër pyetje lidhej me reformën territoriale dhe vendimin për shkrirjen e disa bashkive. I pyetur pse Bashkia Vau i Dejës nuk preket nga reforma, Berisha deklaroi se kriteri kryesor është ai elektoral. “Ka vetëm një kriter, kriteri elektoral që i intereson Edi Ramës”, u shpreh ai.
Gjatë bashkëbisedimit, kryetari i PD, Sali Berisha u pyet edhe për procesin e “Ripërtëritjes” së PD-së. Ai tha se synohet një hapje më e madhe ndaj të rinjve, grave dhe vajzave, modernizimi i strukturave dhe digjitalizimi i partisë.
Pyetjet u ndalën gjithashtu te SPAK-u dhe hetimet ndaj zyrtarëve të qeverisë. Berisha kërkoi që përgjegjësia të shkojë deri te kryeministri Rama dhe deklaroi se ndryshimi politik nuk mund të vijë vetëm nga institucionet e drejtësisë, por kërkon edhe mobilizimin e qytetarëve.
Kreu i PD-së ngriti gjithashtu akuza për përgjime dhe survejim të opozitës dhe zyrtarëve nga struktura të inteligjencës. Ai tha se këto çështje duhet të hetohen dhe se të dhënat do të bëhen publike.
Në një tjetër pyetje, Berisha u pyet nëse përgjegjësia për akuzat ndaj ministrave duhet të jetë individuale apo politike. Ai akuzoi kryeministrin se është i përfshirë drejtpërdrejt në një sërë çështjesh të denoncuara nga opozita. “Rama nuk zgjedh vetëm ministrat, po vjedh bashkë me ta”, deklaroi Berisha.
Lideri demokrat, Sali Berisha u pyet edhe për publikimin e videove me përmbajtje intime të disa personazheve publike dhe nëse ato mund të përdoren për të zhvendosur vëmendjen nga çështje të tjera politike. Ai kërkoi hetim për mënyrën se si janë siguruar këto materiale dhe tha se publikime të tilla shërbejnë për të larguar vëmendjen nga akuzat ndaj qeverisë.
Në fjalën përmbyllëse, Berisha iu rikthye reformës territoriale, ku Berisha bëri thirrje për mobilizim dhe paralajmëroi një protestë kombëtare në ditën kur reforma do të diskutohet në Kuvend.
“Ju ftoj të mobilizohemi, të angazhohemi në protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur vendi, ditën e diskutimit në parlament të reformës territoriale”, deklaroi Berisha.
