E premte, 2 Tetor, 2026

Robert Papa nxjerr detajet e forta: Agjencitë e huaja tmerrojnë Edi Ramën me përgjimet e miliardave të familjarëve e krimit, ja pse takimi protokollar me ambasadorin e ri amerikan nuk e shpëton dot nga listat e pagesave e hetimet përvëluese të nisura nga Kongresi, CIA, FBI e DEA

Share

Gazetari Robert Papa ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur te takimi i tij me ambasadorin e ri amerikan në Tiranë dhe te zhvillimet që, sipas tij, lidhen me institucionet amerikane. Në një analizë në Focus TV, Papa pretendon se agjencitë e huaja kanë gjurmuar miliarda dollarë të familjarëve të Ramës dhe të krimit të lidhur me të, ndërsa thotë se hetimet kanë nisur nga Kongresi Amerikan, me kërkesa për të dhëna ndaj CIA-s, FBI-së dhe DEA-s. Ai paralajmëron gjithashtu për publikimin e përgjimeve dhe listave të pagesave, ndërsa e konsideron takimin me ambasadorin e ri amerikan një veprim protokollar që, sipas tij, nuk e ndryshon situatën.

Pjesë nga analiza e gazetarit Robert Papa në “Focus Tv”

Në garën presidenciale në Amerikë duket sikur JD Vance po kërcënohet nga Rubio, sepse qëndrimet që ka pasur JD Vance për luftën në Iran dhe ndaj Izraelit kanë bërë të mund të ngrihet. Por Rubio nga ana tjetër, sipas njerëzve që janë afër tij, pas 15 vitesh si senator e politikan, ka vendosur që të kalojë në sektorin privat. Rubio ka dy poste: ka Sekretarin e Shtetit dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, por de facto Sekretari i Shtetit është Kushner. Ky është fakt. Dhe në diplomacinë amerikane sundon një kaos. Fatkeqësisht Rubio ka vetëm 50–60 vetë të emëruar; pjesa tjetër nuk largohen aq lehtë.

Natyrisht, Trump ka shkatërruar një nga ligjet e pashkruara të diplomacisë amerikane, ku 10 deri 20% janë emërime ambasadorësh nga ata që paguajnë miliona dollarë donacione – figura politike – ndërsa pjesa tjetër janë diplomatë karriere. Këtë radhë 90% janë pikërisht jo diplomatë profesionistë, dhe për herë të parë në Shqipëri nuk na ka ardhur një diplomat profesionist, por një ushtarak, një ish-gjeneral i cili në disa media mund të jetë paraqitur edhe si kapter i Kushner-it për faktin se në vitin 2020 ka qenë kandidat për ambasador në Katar. Dihet që Katari te familja Trump menaxhohet nga Kushner dhe nuk kaloi nga Senati.

Pra nuk kanë pse të zhgënjehen demokratët apo opozitarët kur shikojnë një foto të Ramës me tuta te zyra e Mehmet Shehut me ambasadorin e ri, ish-gjeneralin në pension. Kaq! Kur ka takuar Yuri Kim, Lu ka shkruar rreth një faqe se çfarë u diskutua. Nga ajo foto duket qartë që as kafe nuk ka marrë gjenerali pensionist. Natyrisht që ky është kompleksi i inferioritetit i Ramës. Më gjeni mua një kryeministër të vendeve të NATO-s që të nxjerrë me vrap foton me ambasadorin amerikan kur bën takimin e mirëseardhjes!

Përse nuk nxjerr fotot në OKB me Pacollin, me Vuçiç, Rony Yeffet? Përse nuk i dërgoi administrata foton te darka e Trump me krerët e delegacioneve të OKB-së, ku çifti Rama ka dalë me çiftin Trump, apo nuk ka qenë fare në darkë pas një dështimi skajor në OKB dhe kërkon të marrë sado pak oksigjen nga diçka që është thjesht protokollare? Unë nuk do të doja që ambasadori i ri amerikan ta niste me kryeministrin përpara atyre ftesave. Megjithatë, kjo nuk tregon asgjë sepse nuk e dimë se çfarë i ka thënë, dhe ai më pas do të takojë SPAK-un. Jo ambasadori amerikan të të vijë në zyrë, por as Jezusi vetë nuk të shpëton!

Dhe ky është faji ynë sepse ne votojmë dikë si ti që na përfaqëson në OKB dhe në takime me diplomatë të huaj. Ka një ngjashmëri me Hoxhën me ambasadorët e Bashkimit Sovjetik kur talleshin me të. Natyrisht që ti do të synosh ta blesh edhe ambasadorin e ri se ke miliarda, por një ish-gjeneral nuk besoj se do të bjerë, dhe në qoftë se bie, turpi do të jetë për të. Dhe si media që gjithmonë mbështesim të vërtetën, nuk do ta tolerojmë. Rama duket sikur mori pak oksigjen dhe u bë si trim duke kaluar haptas ndryshimet në Kodin Penal, sepse e kanë tmerruar videot e përgjimet për familjarët e tij.

Edhe në qoftë se ti e kalon atë ligj ku t’i bësh kufizimet prokurorit se si të arrestojë e se si të hapen telefonat, nuk i heq dot përgjimet ndaj teje nga agjencitë e partnerëve tanë, të cilët kanë gjurmuar miliarda dollarë të familjarëve të tu e të krimit të lidhur me ty. Do të dalin përgjime larg këtyre përgjimeve ‘rozë’ që ke nxjerrë ti, sepse problemi do të dalë me lista se sa ka marrë secili e ku kanë shkuar miliarda dollarë. Ti përfiton se opozita duket e përçarë, por do të ngjizet dhe tetori do të sjellë më shumë studentë.

Flamingot glasën ta kanë bërë ty mbi kokë dhe nuk shpëton dot! E pe se si u sollën ndaj një lebrozi në New York, i frikësuar nga atentate paranojake ndaj teje, i mbrojtur nga shërbimet sepse kështu e do ligji e protokolli, njësoj si me ambasadorin që të vjen në zyrë se ka protokoll. Por ti u talle sepse dole me tuta, u talle edhe me Lu-në e me Yuri Kim, por fundin mbaje mend: fundin ti mund ta kesh me burg në Tiranë, por mund ta kesh me burg edhe në Amerikë, sepse hetimet kanë nisur nga Kongresi Amerikan duke i kërkuar të dhëna CIA-s, FBI-së dhe DEA-s.

Ambasadori i ri, ish-gjenerali, duhet ta dijë dhe nuk del dot nga rruga e shefave të tij. Shefi i tij është Rubio; ai përfaqëson Trump-in. Ti nuk je më faktor që kontrollon stabilitetin, sepse amerikanët këtë duan: stabilitetin. Në OKB u shfaqe si ligavec me liderët e tjerë të Ballkanit.

Përse nuk shtove dy rreshta nga takimi me ish-gjeneralin pensionist? Në foto dukeshit të qeshur, por ruaju buzëqeshjes tinzare të dikujt që mbase ka ardhur të të heqë stolin e të gërmojë rërën e fundit te kështjella jote prej rëre! Ti ke kryer krim financiar dhe nuk je aq besnik ndaj partnerëve të mëdhenj… /gazeta sot/

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera