Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka risjellë edhe njëherë në vëmendje “spiunin me inicialet I.M”, duke thënë se kjo një gënjeshtër e fabrikuar nga dyshja Rama-Basha, në bashkëpunim me Autoritetin e Dosjeve. Kësaj here në mesazh, Meta i është drejtuar më së shumti deputetëve demokrat që kanë votuar pro hapjes së dosjeve, duke i cilësuar si ‘Faqëzi që bëjnë si opozitar, të korruptuar nga Rama’.
“Të gjithë rilindasit mavi dhe blu të “mprehin” brisqet për të lidhur emrin e Ilir Metës me Sigurimin e shtetit. Inkriminimi i Autoritetit të manipulimit të dosjeve Rama-Basha me falsifikime dhe manipulime të opinionit publik do të marrë përgjigjen e duhur dhe ndëshkimin ligjor. Asgjë nuk e ndal Ilir Metën në misionin e tij për të rivendosur pluralizmin politik. Çështjen e I.M e ka sqaruar vetë personi i përndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Turp për të gjithë ata faqezinj që bëjnë si opozitarë dhe janë vetëm korporata të fëlliqura të korruptuar nga Edi Rama. Në krye të opozites s’ka për të patur as Lul dhe as Lulushë. Shpresoj që emisionet e stisura për rëndësinë e “hapjes” së dosjeve të mos sponsorizohen nga paratë e incineratorëve”, shkruan Meta.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan votat ku votuan ndryshimet në ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, nismë e grupit parlamentar të PS, duke i hapur kështu rrugë verifikimit të të gjithë të dyshuarve si ish bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Me 94 vota pro dhe 1 abstenim u shfuqizuan vendimet ekskluzive të komisioneve “Bezhani” e “Mezini”, duke i dhënë të drejtë Autoritetit të Dosjeve të rivlerësojë figurën e zyrtarëve të pajisur me certifikatë pastërtie. Ajo që vihet re në dokumentet e votimit është fakti se askush nga Komisioni i Rithemelimit të Sali Berishës nuk ka marrë pjesë në votim, madje as Oerd Bylykbashi i cili ishte i pranishëm në Sallë. Projektligji erdhi pas kërkesës së autoritetit pasi doli një dosje me një spiun të sigurimit me iniciale I.M që dyshohet se është ish-Presidenti Ilir Meta.