E hënë, 24 Gusht, 2026

Skandali me aeroportin e Vlorës/ Berisha: Prishja e kontratës me Pacollin tregon se Rama dhe Lubia janë aksionerë! Vendi rrezikon gjoba deri në 500 mln euro

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët ditën e sotme, ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Rama dhe ministres Belinda Balluku, duke u ndalur kryesisht te aeroportet e Vlorës dhe Kukësit.

Berisha kundërshtoi vendimin e qeverisë për prishjen e kontratës me kompaninë e Behgjet Pacollit për aeroportin e Vlorës. Sipas tij, konfliktet mes partnerëve privatë duhet të zgjidhen përmes gjykatave ose arbitrazhit dhe jo përmes ndërhyrjes së qeverisë. Ai theksoi se vendimi mund t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë deri në 500 milionë euro në rast të humbjes së proceseve të arbitrazhit.

Berisha akuzoi Ramën dhe Ballukun se fshihen pas aksioneve të kompanisë turke dhe se kanë interesa financiare në projekt. Ai theksoi gjithashtu se projekti i aeroportit të Vlorës është problematik edhe për shkak të ndikimit në habitatin e flamingove dhe shpendëve të zonës.

Duke iu referuar aeroportit të Kukësit, lideri i PD-së e cilësoi atë si një tjetër dështim të qeverisë. Berisha ironizoi inaugurimin e aeroportit dhe praninë e Ballukut me helikopter, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi funksionimin aktual të tij.

Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve, Berisha u pyet edhe për zhvillimet e fundit në qeveri dhe platformën e re “Pasqyra Albania”.

I pyetur nëse platforma do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin ankesat e tyre nga momenti i depozitimit deri në zgjidhje, Berisha e cilësoi “Pasqyrën” si një “mur” dhe një mjet mashtrimi, duke argumentuar se nuk sjell transparencë reale në administratë. Ai sulmoi gjithashtu sistemin e inteligjencës artificiale “Diella”, duke theksuar se nuk ka parandaluar asnjë akt korrupsioni dhe duke akuzuar qeverinë për abuzime financiare.

Berisha u pyet edhe nëse mbledhjet e Ramës me ministrat mund të sjellin ndryshime në qeveri gjatë vjeshtës. Ai tha se ndryshimet nuk do ta zgjidhnin krizën politike, ku e cilësoi qeverinë aktuale si “qeveria Balluku bis”. Sipas tij, zgjidhja e vetme është dorëheqja dhe largimi i Edi Ramës nga detyra.

Për organizimin e PD-së në sesionin e ri politik, Berisha tha se strukturat e partisë nuk e kanë ndërprerë aktivitetin gjatë verës dhe se mbledhjet do të vijojnë gjatë kësaj jave dhe në vazhdim.

I pyetur për platformën e modernizimit të PD-së, Berisha tha se synimi është rikthimi i partisë te anëtarët dhe mbështetësit. Ai përmendi si prioritete përmirësimin e komunikimit, zgjerimin e rolit të anëtarësisë dhe rritjen e hapësirave për angazhimin, idetë dhe aktivitetet e tyre.

Kryetari i PD, Sali Berisha përsëriti akuzat ndaj qeverisë për korrupsion dhe keqmenaxhim, duke e vendosur aeroportin e Vlorës dhe projektet e tjera aeroportuale në qendër të kritikave të tij politike.

Berisha tha se “Ripërtëritja” e PD-së do të përfshijë edhe një sistem vlerësimi të aktivitetit të drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve, bazuar në standarde ndërkombëtare. Sipas tij, synimi është rritja e funksionalitetit dhe hapësirave për angazhimin brenda partisë.

Në përfundim, kryetari i  PD, Sali Berisha konfirmoi se PD nuk do të bojkotojë Parlamentin, pasi kjo është e përjashtuar nga statuti i partisë. Ai tha se mungesa në një apo dy seanca nuk përbën bojkot, ndërsa përjashtoi largimin e PD-së nga Kuvendi.

Te tjera

Lajme te tjera