E diel, 23 Gusht, 2026

Hartë e larmishme prodhimi bujqësor nga Korça në Berat

Share

Mollët e Korçës, fiqtë e Beratit, qershitë dhe kumbullat e Elbasanit, si dhe pjeshkët dhe nektarinat e Lushnjës, janë ndër produktet që dallojnë në hartën e prodhimit të frutave në Shqipëri.

Të dhënat e INSTAT për vitin 2025 tregojnë se prodhimi i frutave është i shpërndarë në të gjithë territorin, por bashkitë shfaqin një profil të ndryshëm sipas kulturave, duke krijuar zona të specializuara për produkte të caktuara.

Sipas INSTAT Korça vijon të jetë një nga qendrat kryesore të prodhimit të mollëve. Bashkia prodhoi rreth 17,7 mijë tonë në vitin 2025, e ndjekur nga Maliqi me rreth 17,2 mijë tonë dhe Devolli me afro 13 mijë tonë.

Një tjetër zonë e spikatur është Elbasani, i cili kryeson si në prodhimin e kumbullave, ashtu edhe të qershive. Në vitin 2025, prodhimi i kumbullave në këtë bashki arriti në 2513 tonë, ndërsa ai i qershive në 2868 tonë.

Në këtë hartë bujqësore, Berati shquhet veçanërisht për fiqtë. Prodhimi i kësaj kulture në vitin 2025 arriti në 5438 tonë, duke e renditur Beratin në krye të bashkive të vendit. Pas tij renditen Shkodra me 1708 tonë dhe Elbasani me 1346 tonë.

Ndërkohë, Lushnja mban vendin e parë për prodhimin e pjeshkëve dhe nektarinave, me 4725 tonë. Pas saj renditen Peqini me 2756 tonë, Fieri me 2717 tonë dhe Elbasani me 2354 tonë.

Këto shifra pasqyrojnë larminë e prodhimit bujqësor shqiptar dhe avantazhet e ndryshme të zonave në kultivimin e frutave. Nga pemishtet e Korçës, te fiqtë e Beratit dhe prodhimet e fushave të Myzeqesë, secila zonë vijon të ruajë profilin e saj në bujqësi, duke furnizuar tregun vendas dhe duke krijuar potencial për përpunim dhe eksporte.

Te tjera

Lajme te tjera