Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e industrisë shqiptare, duke deklaruar se vendi po humbet konkurrueshmërinë përballë ekonomive të rajonit.
“Shqipëria po humbet konkurrueshmërinë ndaj vendeve të rajonit — dhe, bashkë me të, garën për këtë shekull”, shkruan Tabaku në një analizë të publikuar në rrjetet sociale.
Duke iu referuar të dhënave të Eurostat, ajo thotë se në vitin 2025 prodhimi industrial i Shqipërisë ishte 15,3% më i ulët se në vitin 2021. Sipas saj, nga 35 ekonomi europiane, vetëm Ukraina kishte një rezultat më të dobët. Në të njëjtën periudhë, Tabaku thotë se Serbia e rriti prodhimin industrial me 8,8%.
Deputetja ndalet edhe te zhvlerësimi i euros, që sipas saj ka goditur eksportuesit shqiptarë, veçanërisht sektorin fason.
“Fasoneria e ndien më fort këtë goditje, sepse aty preken drejtpërdrejt mbi 130 mijë familje. Por problemi nuk ndalet te fasoneria. Ai prek të gjithë manifakturën dhe industrinë shqiptare”, deklaron ajo.
Tabaku argumenton se turizmi dhe ndërtimi nuk mund të jenë shtyllat e vetme të zhvillimit dhe kërkon më shumë investime në industri, eksporte dhe teknologji.
Duke kritikuar politikat për industrinë automotive, ajo shprehet se: “Pista nuk zëvendëson industrinë. Serbia ndërtoi fabrika dhe zinxhirë furnizimi; Shqipëria prodhoi prezantime dhe propagandë”.
Sipas Tabakut, vendi ka nevojë për taksa më të ulëta dhe të parashikueshme, konkurrencë të lirë dhe mbështetje konkrete për sipërmarrjen.
“Integrimi europian nuk na e dhuron konkurrueshmërinë. Ajo fitohet çdo ditë. Dhe sot, fatkeqësisht, Shqipëria po e humbet këtë garë”, përfundon deputetja e PD-së.
