Deputetja e PS për Qarkun e Elbasanit, Sara Mila ka reaguar në rrjetet sociale për prodhimet bujqësore të zonës së Paprit, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e fermerëve vendas. Në reagimin e saj, ajo u ka bërë apel qytetarëve të zgjedhin prodhimet vendase, veçanërisht dardhat dhe nektarinat e Paprit. Mila thekson se pas çdo produkti vendas qëndron puna, durimi dhe përkushtimi i fermerëve shqiptarë. Ajo ka vënë në dukje gjithashtu mbështetjen që fermerët e pemtarisë marrin përmes Skemës Kombëtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Postimi i znj. Mila
Të rritura në tokën pjellore të zonës dhe të mbledhura me kujdes, këto fruta mbartin brenda gjithë punën, durimin dhe përkushtimin e fermerëve tanë.
Një punë që po mbështetet edhe përmes Skemës Kombëtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila krijon mundësi për fermerët e pemtarisë, nga pagesat për sipërfaqet e kultivuara, te certifikimi dhe modernizimi i fermave.
Por mbështetja më e drejtpërdrejtë fillon nga secili prej nesh: duke zgjedhur prodhimet vendase, marrim freski dhe cilësi në tryezë, ndërsa ndihmojmë familjet që jetojnë dhe punojnë me tokën.
Këtë verë kërkoni dardhat dhe nektarinat e Paprit; të freskëta, të shijshme dhe me aromën e vendit tonë.
