E mërkurë, 23 Shtator, 2026

Skadon afati i EES, udhëtarët drejt BE-së rrezikojnë pritje të gjata në kufi

Share

Udhëtarët që hyjnë në Bashkimin Europian mund të përballen me radhë dhe pritje më të gjata në pikat kufitare, pas përfundimit të afatit të masave fleksibile për zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve, EES.

Afati përfundoi më 6 shtator, ndërsa kompanitë ajrore i kanë kërkuar Komisionit Europian që masat lehtësuese të zgjaten deri në fund të vitit.

Sipas burimeve të cituara nga “The Guardian”, disa vende anëtare mund të vijojnë me një rikthim gradual të kontrolleve biometrike.

Sistemi EES parashikon regjistrimin elektronik të udhëtarëve nga vendet jashtë BE-së gjatë kalimit të kufijve të jashtëm të zonës ku zbatohet sistemi. Procesi përfshin edhe mbledhjen e të dhënave biometrike, si gjurmët e gishtërinjve.

Gjatë sezonit veror nuk u regjistruan probleme të mëdha në pjesën më të madhe të aeroporteve europiane, megjithëse pati raste kur vonesat sollën humbjen e fluturimeve nga pasagjerët. Përfaqësues të industrisë së aviacionit vlerësojnë se masat fleksibile në zbatimin e kontrolleve ndihmuan në shmangien e radhëve më të mëdha.

Luke Petherbridge, drejtor i çështjeve publike në shoqatën britanike të udhëtimeve ABTA, tha se po i kërkohet Komisionit Europian të lejojë fleksibilitet edhe pas shtatorit, pasi sistemi ende nuk është plotësisht funksional në të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Probleme me infrastrukturën raportohet se vijojnë edhe në disa pika të rëndësishme të udhëtimit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Pajisjet për regjistrimin biometrik në Eurotunnel, Portin e Doverit dhe terminalin Eurostar në St Pancras ende nuk janë plotësisht funksionale.

Nëse kontrollet biometrike zbatohen më gjerësisht pa masa lehtësuese, shqetësimi kryesor mbetet krijimi i radhëve dhe zgjatja e kohës së përpunimit të udhëtarëve në kufi.

Te tjera

Lajme te tjera