Nga: Marenglen Kasmi
Përvoja mëse 30 vjeçare e tranzicionit politik, ekonomik, shoqëror, kulturor e moral e shqiptarëve ka treguar se zgjedhja e kreut të shtetit shqiptar është shoqëruar gjithmonë me diskutime të forta, bisedime nën rrogoz brenda kampit politik dhe në fund të procesit, zgjedhja e Presidentit ka qenë gjithmonë pjesë e kalkulimeve politike, për të ulur në karrigen e kreut të shtetit një njeri që ofronte garancitë përkatëse për të mos “hapur probleme” gjatë mandatit të tij. Si rrjedhim, godina e ish-ambasadës sovjetike në Tiranë, e përshtatur në Presidencë, ka parë disa kalimtarë në rolin e kreut të shtetit. Njëherë, kur zgjedhja e Presidentit të Republikës u krye mbi një farë marrëveshje midis palëve politike, u zgjodh një president si Alfred Moisiu, i cili ende vazhdon të jetë modeli orientues e frymëzues se si duhet të jetë kreu i shtetit. Ndërsa ndonjëherë tjetër, kur zgjedhja e tij u diktua nga “forca e numrave në Parlament”, produkti ishte një President, larg Presidentit. Pyetja që shtrohet tani është se kush do të jetë Presidenti i ri. Në fakt, pyetja e duhur është se çfarë duhet të përfaqësojë Presidenti i ri dhe e dyta, a do të kemi këtë radhë një proces transparent apo Presidenca e re do të jetë qoka e radhës?
Në thelb, kandidati lidhet me procesin. Një proces transparent, i mirëmenduar dhe korrekt, ofron një kandidaturë serioze. Por, nëse vlerësojmë çka kemi dëgjuar, se çdo deputet i mazhorancës do të propozojë në mënyrë të fshehtë tre emra, pa asnjë kriter e model referimi, ky proces nuk shpie asgjëkundi dhe ofron më së shumti një mundësi gajasje me kandidatë të vetëshpallur “bazuar mbi vota popullore”, ç’ka është një fyerje për inteligjencën e shqiptarëve. Mos e thëntë Zoti të synohet pikërisht një“gajasje kolektive”, sikurse ka ndodhur ndonjëherë në zgjedhjet parlamentare. Por, nëse një deputet me pak apo shumë aftësi “gajasëse” në morinë e deputetëve në këto tri dekada tranzicion politik nuk na e rrezikon shumë nivelin “e lartë”të Parlamentit tonë, me zgjedhjen e Presidentit të Republikës nuk mund e nuk duhet të bëhen lojëra. Boll më!
Kësaj radhe zgjedhja e Presidentit, më tepër se zhvillimi i një procesi korrekt institucional, duhet të japë një mesazh shumë të rëndësishëm: fundin e tranzicionit të tejzgjatur politik shqiptar!
Dhe ky mesazh jepet duke zgjedhur në krye të Shtetit një personalitet që vjen nga radhët e atyre që e kanë provuar në lëkurë mungesën e shtetit demokratik.
Për hir të së vërtetës, nën qeverisjen e Edi Ramës janë hedhur piketa të rëndësishme për trajtimin e së kaluarës komuniste në Shqipëri. Janë dhënë e vazhdojnë të jepen dëmshpërblime për familjet e persekutuara gjatë regjimit komunist, janë ngritur institucione të pavarura për trajtimin e së kaluarës komuniste etj., çka nuk e ka bërë asnjë qeverisje e djathtë deri tani.
Cilat janë përparësitë që ofron një zgjedhje e tillë?
Fillimisht duhet theksuar se pothuajse gjithë vendet e tjera lindore që dolën nga regjimi komunist filluan të perceptohen ndryshe nga Perëndimi, kur zgjodhën në krye të shtetit njerëz me këtë prejardhje politike. Pra, kur treguan qartë se ishin ndarë përfundimisht nga e kaluara komuniste. Sigurisht që ky nuk është një proces kaq i lehtë, që kryhet vetëm me një votim në Parlament. Por, simbolika është shumë e fortë dhe do të tregojë vullnetin politik të kësaj mazhorance për t’i dhënë fund njëherë e mirë periudhës së tranzicionit të gjatë shqiptar.
Përveç mesazhit që jep një veprimi tillë për botën perëndimore, po kaq domethënës është kjo zgjedhje edhe për situatën kaotike brenda politikës shqiptare, e sidomos te Partia Demokratike. Nëse propozohet një kandidat i tillë, si mund të refuzohet ai nga PD-ja? A nuk është kjo opozitë që mendon se për përfaqësuesit e kësaj kategorie politike nuk është bërë asnjëherë mjaftueshëm? Do të ishte e pajustifikueshme nëse ajo nuk do të votonte një kandidat të tillë. Nga njëra anë, një zgjedhje si kjo mund të bëjë të pakënaqur edhe elektoratin e majtë, të cilët do të shikonin më me dëshirë një përfaqësues nga radhët e tyre në karrigen e Presidentit. Afërmendsh që një personalitet i tillë nuk mund të përfaqësoje politikisht të Majtën. Por ne kërkojmë pikërisht këtë gjë, një president mbi palët.
Nga ana tjetër, ekziston rreziku që, nëse ai propozohet nga Partia Socialiste, pjesa fanatike e së Djathtës mund ta konsiderojë atësi i shitur te Edi Rama. Kësisoj, nga ky rreth vicioz mund të dilet vetëm duke zgjedhur President të Republikës një personalitet të padiskutueshëm të kësaj kategorie politike dhe shoqërore që nuk ka mbajtur poste politike, që e di mire se ç’ është vuajtja nga mungesa e shtetit dhe e ligjit te barabartë për të gjithë dhe që po ashtu është i vetëdijshëm se politika e urtë është ajo që shihet si shërbim, e jo si sundim. Më tej, që ka përvojë institucionale,me kulturë e mbi të gjitha që nuk bëhet palë me askënd, por veç me të drejtën dhe Shqipërinë.
Mos u çudisni! Të tillë ka ende, por ata nuk dalin të rrahin gjoksin për të siguruar ndonjë privilegj nga cilido pushtet. Dinjiteti e respekti nuk është mall që blihet nga reklama, por fitohet!
Mendoni në qetësi pak sekonda, reflektoni me sinqeritet dhe do t’i jepni të drejtë shkruesit të këtyre radhëve. Sigurisht që, në këtë përfundim nuk mund të arrijnë ata, të cilëve batakçillëku u ka përmbysur nivelin e arsyes dhe u ka pështjelluar ndjenjat kombëtare.
Le të shpresojmë që këtë radhë Edi Rama do të na e kursejë “gajasjen” dhe do të na japë një sinjal që ky vend ka shpresë, duke i dhënë dinjitet Presidencës e shqiptarëve kudo.