Shqipëria ka arritur një fitore të madhe përballë Çekisë në stadiumin “Air Albania”, duke siguruar tre pikët që e mbajnë në kreun e Grupit E në kualifikueset e Evropianit dhe e afrojnë më shumë me aktivitetin e vitit të ardhshëm. Ka qenë një fitore manuali e kuqezinjve, të cilët goditën shumë shpejt me Asanin dhe më pas administruan ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke thumbuar vazhdimisht me kundërsulme. Gjithçka u bë më e lehtë nga kartoni i kuq i Çutil, teksa më pas zbritjet e njëpasnjëshme të finalizuara nga Seferi, i cili shënoi dy herë, duke u vulosur një sukses historik 3-0 që “firmos” kualifikimin për në “EURO 2024” që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani.
Komenti i ndeshjes
45 minutat e para të ndeshjes u mbyllën me fitoren e ekipit të Silvinjos me supergolin e realizuar nga Jasir Asani në minutën e 9. Në minutën e 38, çekët realizuan pas zhvillimit të një goditje dënimi me Çutil, i cili shtyu më dorë topin në rrjetë. Gjyqtari anuloi golin si dhe i tregon kartonin e dytë të verdhë sulmuesit, duke lënë Çekinë me 10 lojtarë. I verdhë edhe për Suçek për protesta. Taulant Seferi dyfishoi shifrat për kuqezinjtë në minutën e 52. Kundërsulm perfekt i kuqezinjve me topin që shkoi te Seferi, i cili çoi topin në rrjetë. Edhe kontrolli me VAR-in nuk ndryshoi vendimin e fushës dhe kuqezinjtë festuan dyfishimin e shifrave. Disa minuta më pas Shqipëria trefishoi shifrat me Taulant Seferin. Këtë herë ishte një kundërsulm i Dakut, i cili dërgoi topin te ish-sulmuesi i Tiranëës, që realizoi edhe dopietën e tij personale në këtë ndeshje. Me këtë fitore, Shqipëria mban e vetme vendin e parë me 13 pikë, ndërsa Çekia renditet në vendin e 3 me 8 pikë. Ndeshjen e ardhshme, Shqipëria do ta luajë sërish në “Air Albania” më 17 Tetor përballë Bullgarisë, por kësaj radhe do të jetë një test miqësor dhe jo një ndeshje për kualifikueset e Europianit.