E enjte, 23 Prill, 2026

Shqipëri-Itali, për herë të parë mbledhje mes dy qeverive, firmosen 16 marrëveshje! Rama-Meloni: Ditë historike! Ndërtojmë 7 anije në bazën e Pashalimanit

Share

Shqipëria dhe Italia, për herë të parë zhvilluan një mbledhje të përbashkët mes qeverive, ku u nënshkrua një marrëveshje partneriteti strategjik dhe 15 marrëveshje të tjera në disa fusha si mbrojtja, shëndetësia, siguria e infrastruktura. Kabineti qeveritar i udhëhequr nga shefi i ekzekutivit Edi Rama udhëtuan drejt Romës, ndërsa kryeministrja italiane Meloni kishte rezervuar një pritje zyrtare për homologun e saj në Vilën Doria Pamphili.

Liderët e dy vendeve, Edi Rama dhe Giorgia Meloni vlerësuan raportet e kahershme mes dy vendeve duke e quajtur një ditë historike mbledhjen e dy qeverive.

“Sot për ne është ditë historike, sa herë unë shkoj në NATO dëgjoj të flitet për ditë historike, por historike është kjo sepse për herë të parë qeveria shqiptare ulet me qeverinë italiane për të folur për projekte të përbashkëta”, tha Rama.

“Dua të falënderoj Kryeministrin Rama, ministrat dhe ambasadorët që kanë punuar për këtë ditë historike.”,- tha Meloni.

Shefi i qeverisë tha se bashkëpunimi strategjik mes dy vendeve tashmë do të konkretizohet në kantiere të mëdha bashkëpunimi, duke veçuar atë të 7 anijeve në zonën e Pashalimanit.

“Thellimi i kësaj marrëdhënieje dhe është njëherësh drejtimi i thelbit të kësaj lidhjeje të veçantë, të këtij partneriteti strategjik që më në fund shoqërohet nga kantiere të mëdha. (…) Nuk janë dy anije të vogla, as dy varka, sepse kur bëhet fjalë për varka është lajm negativ, pra nuk janë vetëm 2 anije. Por, mbi të gjitha janë 7 anije që do të ndërtohen në Pasha Liman nga një kompani italo-shqiptare, pala italiane do të jetë Fincantieri, pala shqiptare do të jetë KAYO. Dhe kjo do të jetë një sipërmarrje e përbashkët që do të krijojë vende pune, njohuri për të rinjtë shqiptarë dhe që do të furnizojë Italinë, Shqipërinë nëse do të ketë nevojë, por dhe vendet e tjera”, tha Rama.

Kryeministrja italiane Meloni vlerësoi rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke theksuar se po sillet si një komb europian. Nga ana tjetër, kryeministri Rama riartikuloi edhe njëherë tezën e tij për integrimin e vendit tonë në BE pa të drejtë vetoje. E si për të treguar raportet e mira mes dy vendeve dhe përkrahjen që Italia i jep Shqipërisë në rrugën Europiane, Rama me batutë u shpreh se Shqipëria është gati që në BE të përfaqësohet nga komisioneri italian.

“Nuk jemi ne ata që e vendosim se kush është evropian dhe kush jo dhe Shqipëria, sigurisht, është një vend, një komb europian. Ajo çka na takon ne është ta ndihmojmë këtë proces në mënyrën më serioze dhe nëse është e mundur më të shpejtë të mundshme, sepse edhe kjo është në interesin tonë”, tha Meloni.

“E kam thënë këtë edhe në raste të tjera, ne jemi gati të bëjmë një marrëveshje me Bashkimin Europian për të mos përdorur as veton dhe as votën, nuk na intereson. Ne jemi ithtarë fanatikë të vlerës europiane dhe nuk kemi asnjë qëllim, asnjë mendje të vendosim veto dhe do të thotë që jemi gati të nënshkruajmë që mund të përfaqësohemi nga komisioneri europian italian”, theksoi Rama.

Italia ka zhvilluar dhe të tjera mbledhje të përbashkëta me vende anëtare të BE-së, por është e para herë që ulet në një tryezë të përbashkët me një shtet janë Unionit.

Delegacioni shqiptar

Të pranishëm në mbledhjen me Italinë ishin: zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku; ministrja e Jashtme Elisa Spiropali; i Drejtësisë Besfort Lamallari; ajo e Brendshme Albana Koçiu; i Mbrojtjes Pirro Vengu; e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Evis Sala; e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj; i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja; i Mjedisit Sofjan Jaupaj; dhe Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Te tjera

Lajme te tjera