E premte, 14 Gusht, 2026

SHBA “zë ngushtë” Vuçiçin, sanksionet ndaj Vulin “fundosin” presidentin serb, ja pse gabimi fatal do t’i kushtojë shtrenjtë mikut të Vladimir Putin

Share

Teksa presidenti serb Aleksandër Vuçiç po kërkon  t’i shmanget vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, sanksionet po arrijnë në Serbi. Kjo u duk qartë nga rasti i fundit, sanksionimi i Aleksandër Vulin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Mirë se erdhe në klub”, kështu e komentoi presidenti i entitetit të Republikës Srpska të Bosnje-Hercegovinës Milorad Dodik vendosjen e sanksioneve ndaj kreut të shërbimit inteligjent serb BIA (Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë).Dodik ka kohë që është nën sanksionet amerikane dhe britanike, ndërsa së fundmi Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Brukselit që edhe ai ta sanksionojë. Një nga njerëzit më të afërt të Vuçiçit është tashmë në “lupën” e amerikanëve. Vulin u sanksionua për, siç thuhet në vendim, për “korrupsionin dhe përfshirjen në trafikun e drogës, si dhe për lidhjet me Rusinë”. Duhet pranuar që Vulin gjithmonë ka thënë se nuk e di se me kë është më i afërt, me “mbrojtësin” e tij, Aleksandër Vuçiç apo me presidentin rus Vladimir Putin. Ai është konsideruar si një nga politikanët më të shquar pro-rus në Ballkan.

Ironia e Vuçiç

Vetë Vuçiç tha se arsyet e sanksioneve ndaj Vulin “nuk janë krimi, por marrëdhënia e tij me Federatën Ruse”. “Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë”, ishte reagimi ironik i presidentit të Serbisë. Kujtojmë se në maj, Vulin ishte në Moskë, ku u takua me oficerin e parë të inteligjencës së Putinit, sekretarin e Këshillit të Sigurimit rus, Nikolai Patrushev, i cili aktualisht po konsiderohet si “pasardhësi i parë i Putinit” dhe në gusht 2022, ai gjithashtu u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, në kohën e agresionit rus kundër Ukrainës. Vuçiç doli në mbrojtje të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, por për momentin nuk dihet se çfarë do të bëjë, a do ta zëvendësojë apo do të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë.Sanksionimi ka bërë që të kërkohet dorëheqja e tij. Anëtarët e qeverisë nuk kanë reaguar në lidhje me këtë vendim, ndërsa nga ana tjetër politikani Dragan Shormaz, tha se sanksionimi i Vulinit “është vetëm fillimi”.

Vendimi i qeverisë

Çfarëdo që ai të vendosë, do të jetë disfata e Vuçiçit, sipas ish-avokatit të popullit në Serbi, Sasha Jankoviç. Ai thotë për “Danas”, se “Serbia ka dy opsione ndaj vendimit të SHBA-së, ose të mos përgjigjet me masa reciproke, që e vendos në një pozicion poshtërues, ose të përfundojë bashkëpunimin me komunitetin e inteligjencës dhe sigurisë amerikane, duke rrezikuar kështu Serbinë dhe sigurinë kombëtare”. Jankoviç është i bindur se shteti amerikan nuk synon vetëm Vulin, por se pasojat janë shumë më të rënda. Megjithatë, sipas Jankoviç, Serbia kurrë nuk duhet të ketë një person të tillë të kompromentuar në krye të BIA-s. Dhe ballkanologu amerikan Luke Coffey nga Instituti Hudson për Zërin e Amerikës thotë se sanksionet e vendosura ndaj Vulin patjetër do të ndikojnë në marrëdhëniet midis Serbisë dhe SHBA-së. Ai konfirmoi se arsyeja kryesore më e mundshme janë “lidhjet e Vulin me Rusinë”.

Presioni ndaj Serbisë

Vendosja e sanksioneve amerikane kundër Vulin gjithashtu shkaktoi interes të madh në Moskë, e cila beson se është “një presion tjetër ndaj Serbisë” për t’u larguar nga Rusia dhe, siç thonë ata, për të hequr dorë nga “politika e saj parimore që ajo ka adoptuar që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë” dhe të detyrohet të vendosë sanksione ndaj Rusisë, të cilat Serbia ka arritur t’i shmangë për gati një vit e gjysmë. Gazeta e qeverisë ruse “Rossiyskaya” megjithatë, shkruan e bindur se “as kjo nuk do ta detyrojë Vuçiçin të vendosë sanksione ndaj Rusisë”. Agjencia pro regjimit TASS thekson se sanksionet ndaj Vulin u vendosën për shkak se ai është i lidhur me Rusinë, e cila akuzohet se drejton një politikë destabilizuese në Ballkan. Është interesante që gazeta e biznesit në Moskë “RBK” shkruan se autoritetet amerikane besojnë se Vulin “ndihmoi Rusinë të udhëheqë një politikë destabilizimi në Ballkanin Perëndimor, e cila kërcënon sigurinë e rajonit”, dhe thekson se amerikanët besojnë se Vulin “ka marrëdhënie të ngushta me një prej tregtarëve më të mëdhenj të armëve, Slobodan Teshiç”.

Te tjera

Lajme te tjera