E mërkurë, 14 Maj, 2025

Sërish “tym i zi” nga takimi në Bruksel, nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi, Albin Kurti kërkon marrëveshje të shkruar, refuzon Vuçiç, Borrell paralajmëron zhvillime të reja

Share

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, zhvilluan dje takime të ndara në Bruksel me liderët evropianë në kuadër të dialogut. Kurti dhe Vuçiç u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së. Por në fund të takimeve nuk u arrit asnjë marrëveshje. Prishtina tha se e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023, por Serbia ka dalë kundër. Në deklaratën për shtyp nga Kurti u shpreh se marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa. Por, presidenti i Serbisë e ka refuzuar marrëveshjen. Në takimin me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak, kryeministri Kurti theksoi se pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë. Sipas deklaratës, Kurti ka kërkuar që grupi paramilitar terrorist i Milan Radojçiç dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen në Kosovë, ku do të kishte një gjykim të drejtë. Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruajë edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023. “Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”, tha Kurti në fund të takimit, sipas Kryeministrisë.

Paralajmërimi i Brukselit

Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”. Ndërkohë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi dje mundësinë e takimeve të reja të udhëheqësve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ato shihen si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit të armatosur në Banjskë. “Puna është në vazhdim e sipër. Ndoshta duhet të largohemi nga samiti i BE-së dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë zgjidhje përmes dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër. Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon përmes këtij dialogu”, u tha Borrell gazetarëve.

Reagon Vuçiç

Vuçiç, ka folur dje pas takimeve liderët europianë në Bruksel, ku është diskutuar për marrëveshjen bazike mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenti serb ka thënë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). “Gjatë bisedimeve në Bruksel kemi biseduar për të gjitha temat dhe marrëveshjet, kam thënë qartë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës, por se jemi të gatshëm të përmbushim atë që është marrë vesh, letra e 21 tetorit është një bazë e mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen”, tha Vuçiç. Ai ka thënë se është gati që të formohet Asociaconit i komunave me shumicë serbe. “Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që kemi marrë, për letrën e 21 tetorit kemi thënë se jemi të gatshëm të pranojmë dhe të shkojmë në zbatim”, ka deklaruar Vuçiç.

Te tjera

Lajme te tjera