Partia Demokratike dhe aleatët e saj të ADSHM zhvilluan sot (9 maj) mitingun e fundit përmbyllës në Tiranë, në zonën e Bulevardit të Ri, për zgjedhjet e 11 majit.
Tubimi ishte parashikuar për të nisur në orën 19:00, teksa qindra mbështetës ndodheshin në shesh në pritje të nisjes së fjalimeve.
Një detaj që ra në sy ishte fakti se PD kishte lajmëruar tubimin për në orën 19:00, teksa e nisën me vonesë. Kurse PS dhe Rama e nisën para tyre, sipas parashikimit në orën 19:30, që edhe ishte lajmëruar.
Tubimi nisi vetëm rreth orës 19:40, (rreth një orë me vonesë). Sali Berisha ishte i shoqëruar edhe nga konsulenti amerikan i fushatës, Chris LaCivita dhe ndihmësit e tij, si dhe miq personalë nga partitë popullore të disa vendeve.
Moderatorja e mitingut përshëndeti edhe “të burgosurit politikë” Ilir Meta, kreu i PL-së, Ervin Salianji, ish-deputeti i PD dhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryetarit të PD, Berisha, të dy nën akuzë për dosjen e aferës “Partizani”, i pari nën arrest shtëpie dhe i dyti me detyrim paraqitjeje nga GJKKO-ja.
Fjalimet hapëse u mbajtën nga drejtuesit politikë të qarkut, përfaqësues të PD-së dhe të ftuar nga partitë simotra.
Gjatë mitingut foli edhe konsulenti i PD-së për fushatën, amerikani Chris LaCivita, i cili bëri thirrje për “të pushuar nga puna më 11 maj Edi Ramën”. Ai u shpreh se Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe apeloi për votim masiv.
Berisha mori fjalën e tij me një hyrje përshëndetëse për miqtë që i kishin ardhur për ta mbështetur. Më tej ai përshëndeti dhe i dha mirënjohjen konsulentit Chris LaCivita, që e quajti edhe strategun e fitores së presidentit Trump.
“Chris LaCivita, mirënjohje arkitektit dhe strategut të fitores së madhe të presidentit Donald Trump në SHBA. Mirënjohje për mbështetjen për rikthimin e PD-së dhe Berishës në pushtet. Emri juaj, ekspertiza juaj, u shndërrua me shpejtësi në eliksirin e kësaj fushate, në shpirtin e fitores së saj. Ditën e parë, në konferencën e shtypit, e shkallmove Edi Ramën, duke i rënë tavolinës me grushte, por të garantoj se nesër do i bjerë tavolinës me kokë. Të falenderoj për vendimin që more për ta na ndihmuar ne dhe Shqipërinë. PD në pushtet garanton se do të rivendosë marrëdhëniet më të ngushta me administratën e Trump në të gjitha fushat”, u shpreh kreu i selisë blu.
Më tej ai sulmoi Ramën për mungesën e programeve për të rinjtë, duke përdorur edhe fjalët fyese si “i shfazuar” dhe i “çekuilibruar”.
“Ju e dëgjuat me veshët tuaj, ku një njeri i shfazuar dhe i çekuilibruar ju tha se do ju sigurojë një kile farë kungulli, duke u tallur. Qeveria e ardhshme do shpallë paktin për rininë, start-up albania, çdo i ri punësim brenda vitit pas diplomimit. Çdo i ri do marrë 5 mijë euro grant për sipërmarrjen e tij të re. Njeriu që ju ofroi ju dy kile fara kungulli për një mandat. Por unë ju garantoj se çdo çift i ri do ketë një çati. 30 mijë euro granti, për të paguar interesat e kredisë, 70 euro për bebin e parë, 60 euro për të dytin, për të tretin pagesë e qeverisë nga lindja deri më 23 vjeç. 5 vite pa taksa, mbështetje për talentet në art, shkenca, kulturë, arsimim. Shqipëria do jetë epiqendër e hi-tech, blockchain, internetit dhe inteligjencës artificiale. Kjo do jetë Shqipëria në moshën tuaj. Jemi partia e lirisë, do vendosim regjimin e taksave më të ulëta në Europë. Për bizneset do ketë ulje taksash, tatim-fitimi 10%, për të shtuar vendet e punës”, tha ai.
Berisha hodhi akuza edhe për gjendjen e fermerëve që i shkaktoi projekti i Ballkanit të Hapur, duke shigjetuar Ramën si autor që ndihmoi “argatin Vuçiç”. Ai tha se fermerët do ndihmohen dhe do i jepte fund atij projekti.
Drejt fundit të fjalimit të tij Berisha shprehu si rrallë ndonjëherë, edhe ndjesë për gabimin që kishte bërë në qeverinë e tij, ndaj ish të përndjekurve dhe ish-pronarëve, që nuk morën të gjithë kompensimet që u takonin, duke premtuar se pas 11 majit do e realizonte përfundimisht.
Ai përsëriti se 11 maji nuk është çështje partie apo pushteti personal e Sali Berishës, por për Shqipërinë, teksa premtoi edhe anulimin e ligjeve që ka bërë qeveria Rama, për grabitjen e pronave dhe për investimet strategjike.
““Një mesazh kam për ish-pronarët, të përndjekurit politikë, duke shprehur nderimet më të mëdha, por edhe duke kërkuar ndjesë për gabimet që kjo parti ka bërë në të kaluarën në ligje të caktuara. Ju jap fjalën e nderit, se detyrimi që shoqëria shqiptare ka ndaj tyre, Sali Berisha e konsideron borxhin e nderit të tij dhe ai borxh do shlyhet brenda një mandati. Ai është borxh, borxh dhe vetëm borxh dhe nuk do e zgjasim më shumë se mandatin e parë. Do u japim përgjigjen e përfundimtare pronës, do anulojmë të gjitha ligjet e sotme të Edi Ramës, që grabit pronat si në 1946″, tha kreu i PD mes të tjerash.
Në fund ai apeloi edhe për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar si një fillim të ri.
Berisha bëri thirrje për “përmbysjen e diktaturës”, teksa e cilësoi Shqipërinë si një “kanabistan”. Berisha tha se ashtu siç anëtarësuan vendin në NATO, PD do bënte edhe anëtarësimin në Bashkimin Europian.