Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkon përmbysjen e sistemit politik në Shqipëri, por përjashton kategorikisht largimin e tij nga drejtimi i opozitës. Pavarësisht kritikave të ashpra ndaj qeverisë dhe mazhorancës, Berisha e konsideron të papranueshme tërheqjen e tij nga politika, duke argumentuar se një vendim i tillë do të forconte kryeministrin Edi Rama.
Në deklaratat për mediat pas mbylljes së seancës plenare, kreu demokrat e cilësoi Kuvendin si “parlamentin e krimit”, ndërsa Shqipërinë si një “narkoshtet”, duke kërkuar fundin e menjëhershëm të sistemit aktual.
“Ky sistem duhet të marrë fund sa më parë, që shqiptarët të çlirohen nga narkodiktatura e vetme në Europë. Ky parlament ka kriminelë më të rrezikshëm se Suel Çelën, se Troplinët dhe se Bajrët e klaneve të tjera”, deklaroi Berisha.
Por ndërsa kërkon ndryshim rrënjësor të sistemit, Berisha nuk pranon që ky ndryshim të nisë nga vetë ai. I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të largohej nga drejtimi i opozitës, kryedemokrati e hodhi poshtë prerazi këtë mundësi, duke sulmuar edhe ata që kërkojnë tërheqjen e tij.
“Kjo nuk ndodh kurrë, është absurde. Kjo do të thotë të forcosh Edi Ramën dhe të lash dorën e tij të zezë. Lëpirësit dhe puthadorët e Ramës thonë ashtu. Të na krahasosh ne të dy është të krahasosh ditën me natën. Tani ka një opozitë të vërtetë”, u shpreh ai.
Qëndrimi i Berishës nxjerr në pah një kontradiktë politike, nga njëra anë kërkon largimin e qeverisë dhe fundin e sistemit, ndërsa nga ana tjetër nuk pranon të diskutojë përgjegjësinë e tij për drejtimin e opozitës dhe nevojën për ndryshim brenda Partisë Demokratike.
Një tjetër pikëpyetje lidhet me qëndrimin e opozitës ndaj institucioneve që vetë Berisha i cilëson të kapura nga krimi. Pavarësisht mbështetjes për protestat dhe përplasjet në Kuvend, kreu demokrat nuk konfirmoi bojkotimin e komisioneve të reformës zgjedhore dhe asaj territoriale.
Ai deklaroi se vendimi për pjesëmarrjen në këto komisione do të merret pas diskutimeve me grupin parlamentar të Partisë Demokratike.
