E enjte, 22 Tetor, 2026

PS sfidon protestuesit: S’ka zgjedhje të parakohshme! Krijoni parti si në Serbi dhe garoni në zgjedhjet e pranverës për bashkitë

Share

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje lëvizjes studentore dhe forcave të tjera politike që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore për të matur mbështetjen e tyre publike. Në një deklaratë për mediat pas seancës plenare në Kuvend, Balla e vuri theksin te korniza kushtetuese e procesit zgjedhor dhe mori si shembull zhvillimet politike në rajon.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se zgjedhjet vendore pritet të zhvillohen në periudhën mes 15 prillit dhe 15 majit, ndërsa ftoi aktivistët dhe protestuesit që të organizohen në formacion zyrtar politik.

 “Le të krijojnë parti, siç bënë studentët në një vend fqinj. Le të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, në Tiranë apo në gjithë Shqipërinë, ta masin njëherë se sa e kanë mbështetjen”, u shpreh Balla.

Ai iu referua posaçërisht rastit të Serbisë, ku pas një viti protestash studentore, aktivistët vendosën të hyjnë në garën elektorale të kësaj fundjave me listën e tyre përfaqësuese.

Më tej, kreu i grupit parlamentar socialist theksoi se datat e zgjedhjeve përcaktohen qartë nga Kushtetuta dhe se procesi nuk mund të bllokohet nga mospjesëmarrja e mundshme e ndonjë force politike. Ai solli në vëmendje precedentin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, duke nënvizuar se garat elektorale do të zhvillohen sipas afateve ligjore.

Lidhur me përballjen e ardhshme për pushtetin qendror, Balla sqaroi se zgjedhjet e radhës parlamentare pritet të mbahen gjithashtu në të njëjtën dritare kohore kushtetuese, mes 15 prillit dhe 15 majit të vitit 2029.

Te tjera

Lajme te tjera