E enjte, 22 Tetor, 2026

Ja çfarë pritet të ndodhë pas largimit të Edi Ramës, Grid Rroji zbërthen skenarin që tmerron elitën e vjetër, lojën e fshehtë me “qeverinë tranzitore” dhe paktin për karriget e ministrave

Share

Prapaskenat e krizës politike që po trondit kryeqytetin zbulojnë se rrëzimi i Edi Ramës nuk shënon fundin e dramës, por vetëm fillimin e një përplasjeje të egër për kontrollin e pushtetit. Ndërsa në rrugët e Tiranës derdhet gjak fëmijësh e të rinjsh të dhunuar nga regjimi, prapa kuintave kanë nisur negociatat e fshehta nën zë për të bërë pazar me karriget e “qeverisë tranzitore” apo teknike.

Sipas pedagogut Grid Rroji, elita e vjetër politike që nga eksponentët e pushtetit e deri te deputetët e opozitës të cilët u përzunë me gurë e llum nga protestuesit e revoltuar po nxiton të sigurojë poste ministrash për të shpëtuar kështjellën e korruptuar përmes makiazheve politike.

Kjo lojë e ulët për ripërzierjen e parisë së Tiranës sipas pedagogut përbën një rrezik fatal për vendin, pasi mjaftohet me ndërrimin e emrave pa prekur sistemin e skllavërimit. E vërteta që tmerron elitën e vjetër është se me rënien e kryeministrit duhet të nisë shpërbërja e paevitueshme e të gjitha hallkave të kontrollit dhe çmontimi i rregullave të vendosura nga sindikata e krimit

Pjesë nga analiza e Grid Rrojit në “Vip Magazine”

Fatkeqësisht, kjo është një situatë që është e parashikuar dhe ishte e parashikueshme. Ishte e paevitueshme për shkak se paria e Tiranës ka pësuar një çarje ose disa çarje, të cilat tanimë kanë dalë në shesh. Kemi vullnetin e Kryeministrit Edi Rama që ta mbajë pushtetin me çdo kusht. Është përgatitur për këtë ditë, siç duket qartë. Ka forca policore të dukshme, ndoshta dhe disa të tjera të padukshme të cilat nuk janë deklaruar publikisht  ata civilët me maska e të tjerë, të cilët nuk identifikohen.

 Ka fjalë që kanë ndihmë edhe nga grupe kriminale nga qytete të tjera. Në qoftë se e shohim sulmin tek selia e Partisë Socialiste, ata që e mbrojtën ishin civilë me shkopinj gome, me shkopinj ose dhe me maska. Pra, është gjendur i papërgatitur atë ditën e parë, por tanimë duket qartë që ka një përgatitje në thelb të shtetit për t’iu përgjigjur revoltave. Duhet t’u tregoj të gjithë shqiptarëve që paria e dinë se çfarë bëjnë, e dinë hajninë e tyre, e dinë skllavërimin që u kanë bërë shqiptarëve, e dinë që e kanë shitur vendin te sindikata ndërkombëtare e krimit, por mendojnë se mund t’i skllavërojnë shqiptarët me një kosto shumë të vogël.

Kjo është pasoja e kësaj mendësie dhe mbi të gjitha pasoja e mungesës së një mendësie kombëtare ndër të gjithë shqiptarët, por mbi të gjitha te paria e Tiranës. Zgjidhja prej kësaj nuk ka për të qenë e thjeshtë, nuk ka për të qenë afatshkurtër. Kjo është thjesht një fazë e parë, zgjidhja do të jetë me një afat më të gjatë se kaq.

Por ka disa lloje zgjidhjesh dhe unë përvijoj që, në varësi të asaj se si do të rrjedhin situatat, do të kemi mundësi të ndryshme zgjidhjesh. Sepse nganjëherë rruga drejt zgjidhjes shkon nëpër kanale të cilat përcaktojnë pathyeshmërinë, pra, në qoftë se merret një kthesë e caktuar, nuk kthehesh dot më mbrapsht për të bërë zgjedhje të tjera, zgjedhjet kufizohen e kështu me radhë. Pra, kjo është ajo që po ndodh. Sigurisht që vendi është në fazën e parë të një lufte civile ose të një përplasjeje civile.

Ikja e Ramës

Paradoksi ku gjendet Kryeministri shqiptar sot është i dukshëm. Nga njëra anë, ai është politikisht i mbaruar, ka mbaruar legjitimiteti i tij politik në momentin kur filluan dhe u masivizuan protestat, ato që ishin paqësore, të cilat gabimisht u quajtën protestat e Flamingos. Flamingo ishte thjesht një shkëndijë për atë punë. Dhe tani Kryeministri gjendet në paradoksin që politikisht është jolegjitim, mirëpo ka edhe gurin, edhe arrën në dorë, ka një shtet jashtëzakonisht të fortë policor të cilin e ka ndërtuar me kujdes, duke vendosur kamera në çdo cep të Tiranës. Dhe jo më kot ata demonstruesit i kanë thyer kamerat.

 Pra, aty e kanë ditur se ku është dobësia e tyre për t’u identifikuar. Jo më kot janë duke përdorur disa taktika te të cilat janë të ushtruara policia dhe ato organet e tjera, ato policitë e tjera me civilë me maska, të ushtruara e të mësuara gjatë këtyre viteve. Pra, është e qartë që Kryeministri nuk do të tërhiqet. Kryeministri ka një mundësi të tërhiqet vetëm nëse është nën trysni të jashtëzakonshme, por deri më sot Kryeministri e ndien veten të fortë dhe të gjitha daljet e tij janë mesazhe që ai u dërgon shqiptarëve dhe të gjithë të tjerëve se në këtë vend ai është luani, në këtë vend ai është kafsha që i ha të gjithë të tjerët, se në këtë vend ai është njeriu i pathyeshëm, është mbreti i përhershëm.

Fatkeqësisht, një paradoks tjetër është që ai nuk është kaq i fuqishëm dhe ai ndoshta e di që s’është kaq i fuqishëm, por është peng i interesave të cilat e mbajnë aty dhe nuk e ka të mundur të tërhiqet në këtë pikë. Do të nxjerrë ushtrinë, siç nxori RENEA-n me veshje ushtarake, do të nxjerrë gjithçka, do t’i përdorë të gjitha shigjetat që ka, sepse në këtë pikë për të është çështje mbijetese -jo thjesht politike, por ndoshta një lloj mbijetese edhe fizike.

Çfarë po ndodh në prapaskenë?

Në fillimet e protestës unë kam qenë mbështetës i protestës popullore që në fillim, dhe i protestës me qëllim të caktuar, me qëllim të drejtuar drejt ndërtimit të një shtet-kombi. Në ato ditët e para, një pjesë tjetër e asaj që unë e quaja detyra ime dhe e miqve të mi ka qenë demaskimi i këtyre legjendave të cilët shkojnë si profiterë mediatikë, ndër të cilët janë dhe ata njerëzit që pretendojnë se kanë shkuar e kanë takuar një “presidentull” që bën vetëm atë çfarë i thotë Edi Rama.

Pra këta profiterë dilnin në protestë  i kam parë me sytë e mi  bënin shfaqje mediatike, u mblodhën për të bërë parti të diasporës, u mblodhën për të bërë kuvende, të gjitha budallallëqe të cilat nuk kishin as edhe një lloj kuptimi për gjendjen dhe të cilat tradhtonin faktin që nuk e njihnin kontrollin e fortë që kishte Paria në territor. Pra, të gjitha këto policitë që po shohim sot nuk u krijuan gjatë këtyre tre muajve.

 Të gjitha këto llojet e kundërsulmeve me grupe paramilitare që po bën Kryeministri kanë qenë aty. Njerëzit i kanë ditur njerëzit të paktën si puna ime i kanë ditur që është dyfishuar e trefishuar numri i policëve, që është dyfishuar e trefishuar numri i atyre që janë të punësuar në administratë me apo pa letra të kapura, e të tjera, e të tjera, e të tjera. Të gjitha këto na kanë bërë ne që në atë kohë të thoshim se këta janë profiterë, dhe vazhdojnë të jenë ata. Uroj që shqiptarët të mos jenë aq budallenj sa t’u besojnë këtyre plehrave që përpiqen të fitojnë me gjakun e shqiptarëve. Ata djem e vajza atje mund të jenë gjithçka, por janë trima dhe trimëresha që i kanë dalë përballë kësaj pune dhe meritojnë respekt.

Nuk meritojnë që të përdoren në këtë mënyrë jashtëzakonisht të neveritshme nga këta njerëz. Pra, unë jam gjithmonë me idenë që protesta duhet të drejtohet drejt shtet-kombit. Unë nuk jam dakord me shumicën e opinionit publik shqiptar që mendon se me ikjen e Edi Ramës mbaron historia. Unë jam i parimit dhe i linjës se me ikjen e Edi Ramës fillon historia, fillon shpërbërja e ngadaltë, por e paevitueshme e të gjitha hallkave të kontrollit të Parisë së Tiranës. Dhe pa u shpërbërë ky lloj sistemi, nuk mund të ndërtohet një sistem i ri.

Duhet shpërbërë sistemi, duhet shpërbërë mendësia, pritshmëritë e njerëzve. U duhet thënë njerëzve që shqiptarët kanë nevojë për një periudhë të madhe sakrifice, sepse ky është realiteti, kjo është e vërteta. Kemi nevojë që të rifitojmë njëfarë sovraniteti të cilin e kemi humbur se na e kanë shitur këta plehrat. E kanë shitur për pesë pare spec, siç thuhet. Janë bërë milionerë e miliarderë vetë, por ato janë para të vogla në krahasim; këta vetë janë skllevër të sindikatës ndërkombëtare të krimit, por na kanë trajtuar edhe ne si skllevër. 

Pra, fillimi është rënia e Edi Ramës. Mbas të bjerë Edi Rama, pastaj fillon loja. Duhet ndërtuar një sistem i ri nga fillimi me njerëz  me shqiptarët do ta ndërtojmë, nuk do të vijnë njerëzit nga jashtë  por me rregulla të reja, me mendësi të re, dhe populli duhet të ketë pritshmëri të reja. Kjo është kryesorja. Në qoftë se populli ka pritshmëri të reja, atëherë do të ndjekë njerëzit e duhur.

Në qoftë se populli vazhdon e mban këto pritshmëri që ka sot, ku janë hutuar njerëzit e nuk e kuptojnë nga u erdhi kjo  pavarësisht se disa njerëz kanë të paktën 10 vjet që i paralajmërojnë që këtu do të përfundojë puna po nuk u bë gjëja e duhur atëherë nuk ka për të ndryshuar gjë. Do të bëjnë ato makiazhet, se ka negociata nën zë për të bërë makiazhe.

Thjesht Kryeministri nuk është i bindur që duhet të lëshojë pushtet. Por në momentin që ai bindet se duhet të lëshojë pushtet, bëhen negociatat dhe rikrijohet e gjitha. Kanë filluar të hidhen mite nga anëtarja Elisa Spiropali e shumë të tjerë, të cilët e bëjnë punën për të zënë një vend, për të kapur një vend ministri në atë qeverinë tranzitore ose teknike. Dhe kjo do të ishte një vdekje e ngadaltë e kombit shqiptar.

Unë jam që në këtë situatë, pikërisht sepse kemi studentë që po sakrifikojnë, kemi të rinj e të reja të shkollave të mesme që po sakrifikojnë, kemi fëmijë që gjakosen sot në rrugët e Tiranës. Kjo sakrificë nuk duhet të shkojë kot. Kjo sakrificë duhet t’i shërbejë një fillimi të ri real, jo një fillimi të ri me ripërzierje të Parisë”, shprehet ndër të tjera Rroji. /gazeta sot/

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.  

Te tjera

Lajme te tjera