Mjeku i njohur ligjor, Prof. Dr. Bardhyl Çipi ka denoncuar ashpër përpjekjet e pushtetit dhe analistëve të oborrit për të përbaltur protestat studentore përmes sulmeve ndaj pjesëmarrjes së të miturve. Përmes një analize të thelluar ligjore e mjekësore për gazetën “SOT”, eksperti i njohur Çipi sqaron se e drejta e minorenëve për të protestuar paqësisht është e garantuar plotësisht nga Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës dhe legjislacioni shqiptar në fuqi. Ai akuzon drejtpërdrejt Ministrinë e Brendshme dhe drejtuesit e policisë se po përdorin kërcënime me dënime penale vetëm për t’i frikësuar të rinjtë e për të penguar revoltën e tyre qytetare.
Z. Çipi shpreh tronditjen e tij të thellë ndaj pamjeve barbare të dhunës dhe torturave fizike të ushtruara brenda komisariateve mbi adoleshentët e arrestuar. Ai i bën thirrje urgjente organeve të drejtësisë që të veprojnë pa vonesë ndaj urdhëruesve dhe ekzekutuesve të këtij dhunimi barbar procedural e njerëzor. Duke sjellë shembuj nga historia botërore dhe kombëtare, nga barrikadat e Viktor Hygoit e deri te fituesja e çmimit Nobel Malala Yousafzai, profesori vërteton se të rinjtë nuk kanë qenë kurrë spektatorë pasivë në betejat për liri.
Në mbyllje, mjeku ligjor nërmend se zhvillimi mendor i adoleshentëve i lejon ata të mbrojnë të ardhmen e tyre përballë një kaste politike 36-vjeçare që kërkon t’u marrë shpresën. Kjo qëndresë e pastër rinore, sipas tij, mbetet frymëzimi më i madh për ndërtimin e një shteti të vërtetë demokratik në Shqipëri.
ANALIZA E PLOTË PROF. DR. BARDHYL ÇIPI PËR GAZETËN “SOT”
“Në protestat e ditëve të fundit të drejtuara nga rinia studentore me kërkesat kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë, establishmentit politik 36 vjeҁar të vendit tonë, më ra në sy reagimi nga një pjesë e medieve për ta kundërshtuar protestën. Të vjen keq të shikosh, që mjaft analistë dhe moralistë të vendit tonë përpiqen të analizojnë dhe amplifikojnë ndonjë element nrgativ jo të rendësishëm të kësaj proteste. Ata e bëjnë këtë, për ta përdhosur protestën dhe poshtëruar pjesëmarrësit e saj, me qëllimin dashakeqës që kjo protestë të mos vazhdojë më. Në një emision televiziv më ka lënë një përshtypje shumë të keqe një gazetare opinioniste dhe një nga drejtuesit e këtij emisioni.
Ajo deklaronte atje me këmbëngulje dhe në mënyrë të përsëritur, siҁ e kishte paraqitur më parë edhe në medie, se për të ishte një shqetësim i jashtëzakonshëm përdorimi i fëmijëve të mitur dhe minorenë në këtë protestë. Në të vërtetë ky opinion i saj, që mua më la një shije të hidhur, i shprehur edhe nga opinionistë të tjerë, është i njëjtë me atë të Kryeministrit dhe drejtuesve të Ministrisë të punëve të brendshme. Ata ngulin këmbë që minorenët të ndalohen të dalin në këto protesta.
Kështu, ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e lartë të kësaj ministrie dhe të policisë kanë kërkuar me ngulm që të mos lejohet pjesëmarrja e fëmijëve dhe atyre nën moshën 18 vjeҁe (minorenë) në këto protesta. Jo vetëm kaq, por ata për t’i frikësuar minorenët u tregojnë dënimet penale që mund të merren kundër tyre, madje duke propozuar që ato të bëhen edhe më të rrepta. Kuptohet menjëherë se të gjitha këto kërcënime bëhen me qëllim për të penguar sa më shumë pjesëmarrjen e të rinjve në këto protesta që kanë filluar që prej shumë muajve më parë. Ndërkohë, policia e urdhëruar prej tyre, po i dhunon barbarisht këta minorenë, duke i goditur me egërsi, pas kapjes së tyre dhe shoqërimit në vendet e ndalimit të komisariateve të policies dhe duke shkelur të gjitha rregullat procedurale të ndjekjes penale të tyre, për të cilët ekziston një legjislacion special për mbrojtjen e tyre.
Mbeta i tronditur edhe nga një pamje që pashë disa ditë më parë, që uroj të mos jetë e vërtetë, ku një grup i madh të rinjsh, midis tyre edhe minorenë, gjendeshin në një dhomë policie, të shtrirë për tokë, ngjitur me njëri tjetrin, disa në kurriz, të tjerët me barkun lart dhe me dëmtime në pjesët e dukshme të trupave të tyre. Sa turp për policinë dhe drejtuesit e saj nëse ajo do të jetë e vërtetë!
Kjo pamje më rrënqethi mishin dhe më kujtoi menjëherë një rast mjekoligjor të një aksidenti të rëndë automobilistik me 17 viktima, të shumë viteve më parë në morgun e Tiranës. Por tani në këto foto të fundit, këta ishin të gjithë njerëz të gjallë: të rinj dhe adoleshentë. Për të gjitha këto dhunime të rënda torturuese dhe poshtëruese, duhet menjëherë që të veprojnë sa më shpejt organet e drejtësisë kundër atyre që i kanë kryer dhe atyre që i kanë urdhëruar.
Po si qëndron e vërteta për këto ҁështje?
Duke u mbështetur në njohuritë e mia në fushën e mjekësisë ligjore, të jurisprudencës dhe ato historike, dua të theksoj së pari se fëmijët dhe minorenët paraqesin disa karakteristika të veҁanta të cilat shpjegohen me veҁoritë anatomo-fiziologjike të tyre.
Ato shfaqen në dobësinë fizike të tyre, gjë që bën që ata të mos jenë në gjendje të mbrohen ndaj keqtrajtimeve dhe dhunimeve të ndryshme fizike. Për këtë arsye, atyre ju është siguruar një mbrojtje juridike e pasqyruar në shumë dokumente ligjore, ku më e rendësishmja është Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës (KDF), e viti 1989. Në frymën e saj është përpiluar dhe ka hyrë në fuqi në Shqipëri, që në vitin 2010, “ligji për mbrojtjen e fëmijës”.
Pavarësisht disa opinioneve kundërshtuese sipas të cilave protestat e dhunshme mund ta dëmtojnë më kollaj dhe më shumë trupin e brishtë të fëmijës, të krijojnë gjendje ankthi, ose se ata mund të përdoren si dekor, në këto dokumente ligjore theksohet, midis të tjerave, se minorenët kanë të drejtë të marrin pjesë në protesta jo të dhunshme, të cilat do t’u shërbejnë atyre për t’ju mësuar se si të rezistojnë për të ruajtur demokracinë në një shoqëri të caktuar. Të rinjtë, sipas UNICEF meqenëse mund të humbin gjithҁka për të ardhmen, pjesëmarrja e tyre aktive në këto lëvizje është krejt e justifikuar.
Të gjithë ata kanë një zhvillim mendor të mjaftueshëm që e lejon pjesëmarrjen e tyre në protesta për të mbrojur të drejtat e njeriut dhe për të luftuar diskriminimet e llojeve të ndryshme. Historikisht, fëmijët dhe adoleshentët nuk kanë qenë pjesëmarrës pasivë por janë kthyer në inspirues me influence në lëvizjet globale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Me këtë rast mund të përmend rastet e heroinave shqiptare Margarita Tutulani dhe Persefoni Kokëdhima, dy vajza minorene.
Ato u vranë nga pushtuesit fashistë dhe nazistë, sepse ndihmuan me gjithë shpirt luftën e popullit tonë kundër pushtimit të huaj, të shoqëruar me përpjeket e tyre të palodhura për përhapjen e ideve për ngritjen e një sistemi të ri qeverisësh demokratik. Fatkeqësisht sakrificat e tyre u tradhëtuan nga regjimi komunist që vendosi një diktaturë të egër në vendin tonë.
Ndërsa nga historia botërore dua të kujtoj Gavroshin, një djalë 11-12 vjeҁ, në romanin “Të Mjerët” të shkrimtarit dhe poetit të shquar francez Viktor Hygo, që është i njohur edhe në vendin tonë. Gavroshi, në përleshjet e viti 1832 në Paris, i ndihmoi me guxim pjesëmarrësit revolucionarë duke dalë nga barrikada e tyre për të mbledhur municionet e ushtarëve të vrarë para kësaj barrikade. Ai u vra duke kënduar një këngë sfiduese kundër regjimit reaksionar, ndërkohë që qëllohej papushim me plumba nga forcat qeveritare përballë. Vdekja e tij tragjike është kthyer në një simbol të kundërshtimit të shfaqur nga të rinjtë kundër padrejtësive sociale, ku bënin pjesë edhe fëmijët e shkathët e të të pavarur që jetonin në rrugët e Parisit.
Një rast tjetër që dua të tregoj, ndofta jo shumë i njohur në vendin tonë, është ai i një djali tjetër 12 vjeҁar. Kjo ngjarje është përshkruar në një poezi të mrekullueshme të Viktor Hygoit, të titulluar “Në një barrikadë” (Sur une barricade), e cila mu kujtua tani që shoh fëmijët dhe minorenët tanë, që po marrin pjesë aktive në këto protesta të filluara që prej 5 muajve më parë në mënyrë krejt paqësore, por që po keqtrajtohen me egërsi nga policia. Ky shembull i referohet një ngjarjeje tragjike të Komunës së Parisit në vitin 1872. Në përleshjet e revolucionarëve që kishin ngritur edhe një barrikadë për t’u mbrojtur, ata mposhten nga sulmi i egër i forcave qeveritare.
Fëmijët në protesta, zëri i guximit dhe dinjitetit
Kryengritësit e kapur, u vendos të pushkatoheshin me shpejtësi. Bashkë me ta ishte dhe ky fëmijë 12 vjeҁ, i cili pasi u pyet, pranoi që dhe ai ishte pjesë e kryengritësve. Menjëherë e urdhërojnë të vendoset në murin e pushkatimit. Kur po afrohej radha e tij, ai i lutet komandatit të trupave që po kryenin pushkatimet që të shkonte më parë në shtëpi që e kishte shumë afër, për t’i shpënë nënës së tij një orë që kishte me vete dhe të kthehej përsëri.
Në një mënyrë përbuzëse u lejua që të largohej. Ushtarët e togës së pushkatimit filluan tëë tallen me këtë kërkesë dhe të qeshnin me të madhe për hilenë që djali kishte përdorur që t’i shmangej vdekjes. Por ata u shtangën, i ndërprene menjëherë të qeshurat dhe talljet, kur djali u shfaq papritur dhe ju tha: ja ku jam, dhe u vendos në mur për t’u pushkatuar.
Një rast ky, që denoncon tmerret e dhunave të përleshjeve civile dhe shfaq shpirtin e madh dhe dinjitetin e fëmijëve kundrejt tyre. Më në fund dua të kujtoj vajzën pakistaneze Malala Yusafzai, e cila që në moshën 11 vjeҁ filloi përpjekjet këmbëgulëse për të mbrojtur të drejtat e grave që shkeleshin nga regjimi Taliban, duke rrezikuar edhe jetën.
Në moshën 17 vjeҫ, ajo mori ҁmimin Nobel të Paqes (fituesja me moshën më të re e këtij ҫmimi). Pra nga sa u shpjegua më lart, pjesëmarrja e minorenëve në protestat në vendin tonë, që në fillim kanë qenë krejtësisht paqësore, është krejtësisht e lejuar. Ne ndjehemi krenarë për këta fëmijë dhe adoleshentë, që pa asnjë mëdyshje, ata janë kthyer në heronj të vërtetë që me shpirtrat e tyre të pastër, mbështetën pa u kursyer këto protesta madhështore për largimin e kësaj kaste të urryer politike 36 vjeҫare të vendit tonë dhe për ndërtimin e një shteti të vërtetë demokratik”, nënvizon mjeku i njohur ligjor, Prof. Dr. Bardhyl Çipi. /gazeta sot/
