Nga Rigels Seliman
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku po përballet tashmë me akuza të reja për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa SPAK njofton për fakte të reja që rëndojnë pozitën e saj penale. Por pyetja që sot kërkon përgjigje nuk është vetëm se çfarë ka zbuluar Prokuroria e Posaçme (SPAK), por pse, përballë këtyre fakteve, nuk kemi një kërkesë për masa të reja sigurie personale ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku?
Çfarë e dallon Belinda Ballukun nga politikanët e tjerë që janë përballur me masa arresti? Çfarë e dallon një ish-zëvendëskryeministre nga një ish-ministër, një kryetar bashkie, një biznesmen apo një drejtues institucioni që është vendosur nën masa sigurie për akuza që ndoshta kanë qenë edhe më pak të rënda? Pse për disa dyshimi ka mjaftuar për pranga, ndërsa në rastin e Ballukut, edhe pas shfaqjes së akuzave të reja, SPAK mjaftohet me një masë pasurore?
A është vila ajo që duhet të sekuestrohet, ndërsa personi që dyshohet se qëndron pas saj duhet të vazhdojë jetën normalisht? A mund të kemi një drejtësi që godet pasurinë, por heziton të prekë pushtetin? A ka një standard për opozitarët dhe një tjetër për njerëzit e mazhorancës? Dhe mbi të gjitha, a duhet të besojë qytetari shqiptar se ligji është vërtet i barabartë për të gjithë?
Sepse këtu qëndron problemi më i madh. Nëse SPAK pretendon se ka zbuluar fakte për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, atëherë pse nuk shkon deri në fund? Pse nuk i kërkon Kuvendit të kryejë detyrën e tij kushtetuese, nëse për shkak të statusit të saj parlamentar kërkohet autorizim për masat përkatëse? Pse duhet të mbetet politika pengesë mes hetimit dhe drejtësisë?
Nuk mund të ketë një SPAK të fortë me të dobëtit dhe të kujdesshëm me pushtetin. Nuk mund të ketë një drejtësi që mat peshën e akuzës me emrin e personit që ka përballë.
Këtu nuk është më çështja e Belinda Ballukut si individ. Është çështja e besimit te drejtësia. Çfarë vlere kanë hetimet, dosjet, provat dhe njoftimet e bujshme nëse në fund krijohet përshtypja se pushteti politik vazhdon të ketë një mburojë të padukshme? Çfarë kuptimi ka integrimi europian nëse qytetari sheh se standardi i drejtësisë ndryshon sipas karriges që ke mbajtur?
Prandaj, SPAK duhet të bëjë atë që i takon dhe të mos fshihet pas heshtjes institucionale. Nëse kërkohet autorizim parlamentar për masat ndaj Ballukut, SPAK duhet t’i drejtohet Kuvendit me kërkesën përkatëse dhe t’i hapë rrugë zbatimit të plotë të ligjit. Dhe aty duhet të jetë testi i vërtetë: jo vetëm opozita, por të 140 deputetët, mazhorancë dhe opozitë, duhet të votojnë pro nëse ligji dhe vendimmarrja e organeve të drejtësisë e kërkojnë një gjë të tillë.
Asnjë deputet nuk duhet të fshihet pas kartonit të partisë. Asnjë mazhorancë nuk duhet ta përdorë shumicën parlamentare si mburojë për pushtetin. Dhe asnjë opozitë nuk duhet ta shohë drejtësinë vetëm si armë kundër kundërshtarit politik.
Boll me lojëra. Boll me standarde që ndryshojnë sipas emrit, postit dhe krahut politik. Nëse Belinda Balluku duhet të përballet me drejtësinë, ajo duhet të përballet si çdo qytetar tjetër, me të njëjtat rregulla dhe të njëjtin standard. Sepse prova e vërtetë për SPAK-un nuk është sa fort mund të godasë opozitën, por sa guxim ka për të prekur pushtetin.
Dhe prova e vërtetë për mazhorancën nuk është sa kartona të kuq mund të ngrejë për të mbrojtur qeverinë, por nëse do të votojë për drejtësinë edhe kur ajo troket në derën e saj. Shqipëria nuk ka nevojë për drejtësi me përjashtime. Ka nevojë për një ligj që është i njëjtë për të gjithë, edhe për Belinda Ballukun, edhe për pushtetin e Edi Ramës.
