Partia Socialiste e ka gati draftin për reformën e re territoriale dhe e ka depozituar tashmë në Kuvend. Sipas draftit, socialistët propozojnë që Shqipëria të ruajë ndarjen me 12 qarqe, por numri i bashkive ulet nga 61 në 46 bashki. Në total shkrihen 15 bashki me 225 mijë banorë, të cilat bashkohen me 13 bashki të tjera ekzistuese. Pra, 28 bashki aktuale konsolidohen në 13 bashki më të mëdha, ndërsa 33 bashki të tjera mbeten të pandryshuara, mes tyre edhe 3 bashkitë minoritare Pusteci, Finiqi dhe Dropulli.
Risi e propozimit të PS është edhe krijimi i një niveli të ri ndarje territoriale, “Qyteti”, i cili do të ketë status të veçantë ligjor dhe do të përbëhet nga njësitë administrative e fshatrat dhe me një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ. Në total, vendi do të organizohet në 12 qarqe, 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative.
“Bashkia si njësia bazë e qeverisjes vendore përbëhet nga qytetet. Qytetet kanë status të veçantë ligjor që rregullohet me ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor dhe përbëhen nga njësitë administrative dhe/ose fshatrat. Organizimi dhe përfaqësimi i bashkisë mbështeten në parimin e përfaqësimit proporcional të qyteteve përbërëse, në përpjesëtim me popullsinë e tyre”, thuhet në propozim.
BERAT
Sipas draftit, bashkitë Dimal dhe Poliçan shkrihen dhe i bashkohen Bashkisë Berat.
DIBËR
Bashkia Klos shkrihet dhe i bashkohet Bashkisë Mat.
ELBASAN
Sipas draftit, bashkitë Cërrik dhe Belsh shkrihen dhe i bashkohen Bashkisë Elbasan. Ndërkohë, bashkia Prrenjas shkrihet dhe i bashkohet Librazhdit.
FIER
Ndërkohë, shkrihen edhe bashkitë e Patosit dhe Divjakës. E para bashkohet me bashkinë e Fierit, ndërsa e dyta me Lushnjën.
GJIROKASTËR
Në jug të vendit, Libohova shkrihet dhe i bashkohet Gjirokastrës. Memaliaj i bashkohet Tepelenës, ndërsa Këlcyra shkrihet dhe i bashkohet Bashkisë Përmet.
KORÇA
Sipas draftit, bashkia Maliq shkrihet dhe i bashkohet Bashkisë Korçë.
VLORA
Ndërkohë, me propozimin e PS shkrihet bashkia Selenicë dhe i bashkohet Vlorës.
TIRANA
Bashkia Rrogozhinë me propozimin e PS i bashkohet Kavajës. Njësia administrative e Rinasit do t’i bashkohet bashkisë së Tiranës, ndërsa Vora mbetet e pandryshuar.
SHKODËR
Bashkia e Fushë-Arrëzit do të bashkohet me Pukën.
