E enjte, 30 Korrik, 2026

Berisha: Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi nuk u shpallën në kërkim ndërkombëtar, ata blenë avionë privatë dhe fluturuan mbi hapësirën e NATO-s dhe BE-së. Beqiri përvetësoi të paktën 200 mln euro nga AKSHI i Lindave

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për shtyp hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit, duke deklaruar se të dy nuk u shpallën në kohë në kërkim ndërkombëtar dhe vijuan aktivitetin e tyre në vende të Bashkimit Europian. Berisha tha se arrestimi i Ermal Beqirit në Francë ‘dëshmon rrezikshmërinë që paraqet Shqipëria me krimin e saj të organizuar për rajonin dhe Evropën’.

‘Me 24 prill kam denoncuar se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri nuk ishin në kërkim ndërkombëtar, megjithëse urdhër-arresti për ta ishte lëshuar më 25 dhjetor 2025. Agasi bleu dy avionë personalë në Austri dhe më pas regjistroi njërin prej tyre në Slloveni. Gjatë kësaj kohe janë kryer një sërë fluturimesh në hapësirën e NATO-s dhe të vendeve të Bashkimit Europian’, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi se, Ermal Beqiri ka përfituar shuma të mëdha përmes AKSHI-t. ‘Ermal Beqiri ka përvetësuar të paktën 200 milionë euro nga AKSHI i Lindës. Ky ishte njeriu që Edi Rama ua paraqiste personaliteteve më të larta të Europës si histori suksesi. Në të vërtetë ishte një bandit dhe një kriminel, i cili u arrestua nga autoritetet franceze’, u shpreh ai.

Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën se, sipas tij, ka penguar zbatimin e mandateve të arrestit ndërkombëtar. ‘Nuk kam asnjë dyshim se prokuroria dhe Policia e Shtetit, po të mos kishin marrë urdhër politik nga Edi Rama, do të kishin proceduar menjëherë me mandatet e arrestit ndërkombëtar. Por nuk e bënë, sepse AKSHI ishte prona private e Edi Ramës’, tha ai.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për publikimin me vonesë të arrestimit të Beqirit, Berisha ngriti dyshime për fshehjen e informacionit. ‘Është mister pse lajmi u mbajt i fshehtë nga autoritetet shqiptare derisa u publikua nga mediat franceze. Edhe në këtë rast, Edi Rama përpiqej të fitonte kohë për lirimin e tij’, deklaroi kreu i demokratëve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi edhe vendimin e Partisë Demokratike për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me procedurën e miratimit të marrëveshjes së mbrojtjes me SHBA. ‘Ne nuk kundërshtojmë marrëveshjen. E mbështesim plotësisht. Në Gjykatën Kushtetuese do të ankimojmë vetëm procedurën antikushtetuese të përdorur për miratimin e saj, jo përmbajtjen e marrëveshjes’, theksoi ai.

Lideri i demokratëve Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin protestën opozitare. ‘Protesta që zhvillohet çdo natë është zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve. Ftoj çdo qytetar, brenda dhe jashtë vendit, ta mbështesë këtë lëvizje që bën krenar çdo shqiptar’, përfundoi Berisha.

Te tjera

Lajme te tjera