Rigels Seliman
Themeluesi i lëvizjes “Djathtas 1912”, Enkelejd Alibeaj, ka lëshuar akuza të forta ndaj klasës politike, duke deklaruar se pazaret mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha po e çojnë me vetëdije vendin drejt skenarit të zi të përplasjes si në vitin e errët ’97 (trazirat e vitit 1997). Teksa ishte i ftuara në një studio televizive, z. Alibeaj paralajmëroi se Reforma e re Territoriale me reduktimin e bashkive në 30 apo 40 do të shërbejë si shkëndija e madhe që do të çojë në mobilizim popullor në shtator, ku qytetarët do të zbresin masivisht në shesh “me gra e kalamaj” për të rrëzuar këtë pushtet.
Sipas tij, kjo reformë do t’i kthehet kryeministrit Rama në një bumerang fatal, pasi përqendrimin e gjithçkaje ai e ka në ADN-në e tij politike, por kësaj radhe përballet me një revoltë të papërmbajtshme. Më tej ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj zbërtheu katër skenarët kyç të vjeshtës: përplasja popullore si në ’97-ën nga revolta e grumbulluar; fitorja e befasishme e qoftë edhe një bashkie nga kandidati i protestës që do të shkaktonte një lëvizje tektonike kundër pushtetit; krijimi i një lëvizjeje të re që merr vota nga të gjitha ngjyrat e që do të shënonte fundin e vërtetë të regjimit; si dhe ndërhyrja e fortë institucionale nga SPAK-u dhe partnerët ndërkombëtarë për të parandaluar destabilizimin e vendit.
Po ashtu, ai theksoi se Rama do ta mendojë dy herë përpara se ta çojë deri në fund këtë aventurë, pasi pazaret e tij me Berishën do t’u kthehen të dyve në një fund të pashmangshëm politik, duke i fundosur kështu “shtatë pashë nën dhe”. “Inshaallah e miraton kryeministri Edi Rama Reformën Territoriale në shtator me 30 bashki, sepse do të jetë një tjetër motiv…Një tjetër motiv që të zbresin atje të gjithë, me grua dhe kalamaj, për të rrëzuar këtë. Rama s’ka rrugë tjetër. Këtë historinë e përqendrimit të gjithçkaje e ka në ADN-në e tij politike.
Zgjidhje tjetër Rama s’ka përveç se të vazhdojë te përqendrimi. Kam mendimin që këtë ide ka. E pritshme është që Rama të bëjë këtë, mjete zyrtare për ta ndaluar s’ka. Kam përshtypjen se po i trembet, dhe unë po e them, edhe nëse do të bëjë një përqendrim kaq të madh të bashkive, 30-40, do t’i kthehet në bumerang. Me strukturën partiake të kutive të votimit, në një numër me 30-40 bashki, zero shanse kanë që PD të fitojë ndonjë bashki, do t’i marrë të gjitha Rama. Në sytë e njerëzve do të jetë edhe ky një bumerang.
Edhe po t’i marrë të gjitha përsëri do t’i kthehet në bumerang. Tjetra, po sikur një nga 40 bashki ta fitojë kandidati i protestës, çfarë ndodh? Shikoni çfarë do të ndodhë si një lëvizje tektonike kundër pushtetit të Ramës. Në momentin kur ai të ketë përballë një lëvizje gjysmë të strukturuar që do marrë vota, të bardha, të zeza, të kuqe, blu, ai do jetë fundi i vërtetë. Kështu që kam dyshimet e mia nëse do vazhdojë me këtë historinë e 30-40 bashkive.
Do ta mendojë dy herë Rama nëse do ta bëjë këtë gjë. Megjithatë Rama dhe Berisha do shkojnë të dy deri në fund me pazare. Pyetja është: Do shkojnë me përplasje? 97’-ta apo me kuti. 97’ është një mundësi. Ka edhe një mundësi tjetër që është institucionale, SPAK-u, ndërkombëtarët, nëse s’duan që situata të shkojë në zgrip apo të destabilizohet, do marrin masa”, deklaroi Alibeaj në emisionin “Off the Record” në “A2CNN”.
Ekuacioni i ri politik që do të sfidojë Edi Ramën
Ndërkohë themeluesi i lëvizjes “Djathtas 1912” Enkelejd Alibeaj tha se protesta e qytetarëve në bulevard do të prezantohet si alternativë politike në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të mbahen. Z. Alibeaj vuri në dukje se kësaj gjëje i frikësohet edhe kryeministri Edi Rama. Sipas Alibeajt, së fundmi kemi të bëjmë me një lëvizje sociale, heterogjene, që nuk është e ngjashme me alternativat e mëhershme politike. “
Ka një element të ri, një të panjohur në ekuacion, potenciali i madh i lëvizjes së bulevardit, dhe cila do të jetë e ardhmja e saj. A do të shfaqet ajo me kalimin e kohës si element elektoral apo jo. Siç unë kuptoj, dhe siç mund ta lexoj Ramën, frika e madhe e tij është që prej kësaj lëvizje, prej këtij fenomeni, në zgjedhjet, të parakohshme apo jo, vendore apo qendrore, do të ketë një kuti të tretë ku shqiptarët do të votojnë.
Ka një ndryshim të madh, ato që ka qenë kutiza të mëparshme s’kanë ardhur si derivat i një lëvizje të tillë sociale, e cila ka një karakteristikë e cila është te përbërja, heterogjenitetin e përbërjes. Do të prezantohet në zgjedhjet që do vijnë të pushtetit vendor me një alternativë elektorale. Mund të jetë një parti, një grupim partish, mund të jetë një front, mund të jenë kandidatë, 30 burra, 50 burra nga protesta, folës, njerëz të njohur e me radhë…”, u shpreh ai.
Ramën nuk e lënë që të japë dorëheqjen
Nga ana tjetër, themeluesi i lëvizjes “Djathtas 1912” Enkelejd Alibeaj mendon që kryeministri Edi Rama nuk është i lirë që të japë dorëheqjen, edhe sikur ai të dojë. Ish-deputeti Alibeaj theksoi se kryeministrin nuk e lënë që të japë dorëheqjen. Duke analizuar fjalimin e Ramës në lidhje me besën, Alibeaj tha se Rama është i kthjellët për problemin e madh që i ka lindur, dhe potencialin që ka sheshi i protestës qytetare.
“Unë nuk jam nga ata që besoj se në këtë situatë Rama është nga ata që jep dorëheqjen. E besoj kështu. Pse? Nuk është i lirë ai të japë dorëheqje, edhe po të dojë. Rama është nga ata që s’jep dorëheqjen. Nuk e lënë që të japë dorëheqjen. Unë besoj një gjë, nga fjala që unë lexova, pashë, e Ramës, kur fliste për besën, kuptova një gjë… Kuptova kthjelltësinë e Ramës për problemin e madh që i ka lindur.
Njohës i saktë deri në detaje, se çfarë potenciali të madh ka ai shesh. Rama ka kuptuar fare mirë që ka një problem të madh aty poshtë, s’janë vetëm ata dy mijë veta që dalin përditë. Apo 50-60 mijë që erdhën. Ai ka kuptuar një gjë të madhe, që po i ndodh një transformim i madh i mentalitetit të shumicës së shqiptarëve që deri dje prej frikës, klientëlizmit, mungesës së alternativës, e votonin. Sot ka kuptuar që po ndodh një ndriçim i shumicës së shqiptarëve që kurdo të jenë zgjedhjet s’do ta votojnë”, nënvizoi ish-deputeti Alibeaj. /gazeta sot/
