Një raport i gjerë i publikuar nga organizata Human Rights First ka hedhur dritë mbi mënyrën se si Departamenti i Shtetit i SHBA ka zbatuar sanksionet sipas nenit 7031(c) gjatë katër viteve të fundit. Ky nen i fuqizon autoritetet amerikane të ndalojnë hyrjen në SHBA të zyrtarëve të huaj dhe familjarëve të tyre, nëse ka “informacione të besueshme” se janë përfshirë në korrupsion domethënës ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Të dhënat e reja, të mbledhura për periudhën dhjetor 2020 – dhjetor 2024, japin për herë të parë një panoramë më të qartë të këtij mekanizmi. Ato tregojnë se:
-486 persona janë sanksionuar në total në këtë periudhë;
-367 raste janë bërë publike, ndërsa 119 janë mbajtur konfidenciale;
-kur bëhet fjalë për korrupsion, shumica e ndalimeve janë publike (90% e rasteve), ndërsa për shkelje të të drejtave të njeriut shpesh mbahen të fshehta (vetëm 56% publikohen);
-Departamenti i Shtetit ka përdorur 61 herë përjashtime për “interes kombëtar”, kryesisht për individë të akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, duke i lejuar ata të vizitonin SHBA;
-gjithashtu, janë raportuar 10 raste kur persona të sanksionuar janë lejuar të hyjnë në SHBA vetëm për pjesëmarrje në sesione të OKB-së, për shkak të detyrimeve ndërkombëtare të Uashingtonit si vend pritës i selisë së Kombeve të Bashkuara.
Ky kombinim i sanksioneve publike dhe atyre konfidenciale ka ngritur shqetësime tek aktivistët e shoqërisë civile, pasi ndalimet e fshehta e bëjnë të vështirë monitorimin publik të këtij instrumenti. Human Rights kërkon që Kongresi të detyrojë publikimin çdo vit të të dhënave agregate mbi këto vendime.
“Departamenti i Shtetit anuloi disa ndalime vizash me anë të lehtësimeve, pothuajse të gjitha për shkak të një “interesi kombëtar bindës”. Ekzistojnë katër lloje të ndryshme lehtësimesh ose përjashtimesh që Departamenti i Shtetit mund të përdorë nëse nuk dëshiron të vendosë një ndalim vizash. Të dhënat e reja tregojnë se ai lëshoi lehtësime duke përmendur një “interes kombëtar bindës” 61 herë gjatë kësaj periudhe, të gjitha përveç njërës prej të cilave lidheshin me individë të përfshirë në abuzimin e të drejtave të njeriut, jo me korrupsion.
Pavarësisht këtyre të dhënave, është e vështirë të thuhet se sa nga ndalimet e vizave të vendosura gjatë kësaj periudhe u anuluan nga heqjet. Ne e kuptojmë se në disa raste, një individ i vetëm që bën vizita të shumëfishta përbën disa nga heqjet; dhe se disa heqje zbatoheshin për ndalimet e vizave që ishin vendosur para periudhës së raportimit. Megjithatë, heqja dorë nga afërsisht një e teta e numrit të ndalimeve të vizave të vendosura gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme dhe me sa duket korrespondon me dhjetëra vizita zyrtare nga individë që Departamenti i Shtetit i gjeti të korruptuar ose abuzivë”, thuhet aty.
Berisha, një rast i pastër i sanksionit publik
Por nëse shohim raportin, mund ta lidhim shumë lehtë me Shqipërinë. Në këtë kuadër, ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha mbetet një nga ilustrimet më të qarta të zbatimit të nenit 7031(c). Në maj 2021, Sekretari i Shtetit Antony Blinken e shpalli publikisht “non grata” Berishën dhe familjen e tij të ngushtë, duke e akuzuar për korrupsion domethënës dhe për minimin e demokracisë në Shqipëri. Ky vendim ishte pjesë e listës së gjatë të rasteve publike dhe jo konfidenciale, pra një rast ku SHBA vendosi të japë një mesazh të qartë e transparent ndaj publikut shqiptar dhe elitës politike.
Ndryshe nga disa zyrtarë të huaj që kanë përfituar përjashtime për të hyrë në SHBA nën arsyetimin e “interesit kombëtar” ose për pjesëmarrje në takime në OKB, Berisha nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj lehtësimi.
“Sipas një përjashtimi të dytë, Departamenti i Shtetit raportoi gjithashtu 10 raste të lejimit të një personi, ndryshe të ndaluar, për të udhëtuar në Kombet e Bashkuara në Nju Jork gjatë kësaj periudhe. Lejimi i këtyre vizitave është dhe duhet të jetë përgjithësisht jashtë diskrecionit të SHBA-së, duke pasur parasysh detyrimet e SHBA-së si vendi pritës sipas marrëveshjes së selisë së OKB-së”, thekson raporti.
Sipas Burimeve, edhe Berisha ka tentuar të përdorë të njëjtën skemë si disa personalitete të tjera ndërkombëtare të sanksionuar, duke kërkuar leje të posaçme për udhëtim në OKB, por përpjekjet e tij kanë dështuar.
Për më tepër, pavarësisht se ka lidhur një kontratë lobimi me kompaninë “Continental Strategy”, me vlerë rreth 6 milionë dollarë, për të ndikuar mbi administratën amerikane dhe Kongresin, statusi i tij si “non grata” mbetet i pandryshuar. Ky fakt tregon se sanksionet e bazuara në nenin 7031(c) janë pothuajse të pamundura për t’u hequr, sidomos kur janë shpallur publikisht dhe kur kanë mbështetje të fortë politike nga Departamenti i Shtetit.
