Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat kundër projektit turistik të planifikuar në Zvërnec, duke iu përgjigjur kritikave të ngritura nga kundërshtarët e investimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka sjellë si shembull një resort turistik në Katar, i zhvilluar nga të njëjtët investitorë që janë përfshirë edhe në projektin e Zvërnecit. Rama ka mbrojtur kompaninë investitore dhe ka ironizuar zërat që, sipas tij, po përpiqen të pengojnë zhvillimin e projektit.
Në reagimin e tij, kryeministri i cilësoi kundërshtarët e investimit si “budallenj”, duke argumentuar se pretendimet e tyre nuk kanë bazë dhe se nuk mund të ndalojnë zhvillimin turistik të vendit.
“Ky ishull është në Katar dhe është një ndër destinacionet më të vizituara turistike të Lindjes së Mesme, i cili administrohet nga brandi prestigjoz Anantara.
E dini kush e ka zhvilluar?
Dy vëllezërit Alkhayatt, pikërisht bashkëpronarët e konglomeratit Poëerholding, blerësit e tokës private dhe bashkëinvestitorët e projektit të Zvërnecit!
Tani kujt ia ha mendja se një kompani si Power Holding, vjen në Shqipëri të shkatërrojë reputacionin e vet me budallallëqet që thuhen për projektin, nuk kemi ç’i bëjmë. Po budallallëku që e ka lënë këtë vend mbrapa bote 100 vite, nuk ka për ta marrë dot peng Shqipërinë Europiane dhe Turistike
Power International Holding është një konglomerat nga Katari me më shumë se 400 kompani, të organizuara në gjashtë sektorë kryesorë të ekonomisë, me një portofol të vlerësuar afërsisht 40 miliardë dollarë. Ka më shumë se 65,000 të punësuar dhe operon në 25 vende të botës”, shkruan Rama në reagim.
Kujtojmë se sot është dita e 7 e protestova, e cila ka tejkaluar çështjen e Zvërnecit, duke u fokusuar te skandalet e qeverisë Rama, çështje si shëndetësia, arsimi, emigracioni, administrata e politizuar etj.
