Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë sot drejt Romës për të marrë pjesë në takimin e parë G2G me Italinë (Government to Government), një mbledhje e përbashkët e dy qeverive, në funksion të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes vendeve, përmes projekteve të përbashkëta, në fusha si ekonomia, energjia, mbrojtja, infrastruktura, etj.
Ditën e enjte, Kryeministri Rama do të takohet me Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni dhe më pas së bashku me delegacionin e ministrave të kabinetit që e shoqëron, do të marrë pjesë në seancën plenare të mbledhjes ndërqeveritare.
Në agjendën e ditës së enjte është parashikuar edhe shkëmbimi i Marrëveshjeve Dypalëshe dhe Memorandumeve të Mirëkuptimit.
Në faqen zyrtare të qeverisë italiane u njoftua më herët se Samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri që do të drejtohet nga Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni dhe Kryeministri Edi Rama do të mbahet të enjten, më datë 13 nëntor, ora 11:30.
Shqipëria dhe Italia kanë firmosur në vitin 2010 Deklaratën e Partneritetit Strategjik.
