E enjte, 30 Korrik, 2026

Protestat në Tiranë, Rama i përgjigjet ultimatumit të qytetarëve: Shqipëria do bëhet siç them unë, jo siç bërtisni ju

Share

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen në Tiranë nga qytetarët që janë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec.

Teksa ka nxjerrë me video intervistën e një qytetari që fyen dhe kërcënon me vdekje, kreu i qeverisë thekson se Shqipëria do të bëhet sipas vizionit që është votuar në shumicë nga qytetarët në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

“Mirmëngjes dhe me ndjesën për këtë video-kartolinë të pazakonshme nga “Shqipëria e shqiptarëve”, e duke i siguruar të gjithë se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota, pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhëtarët e armiqtë imagjinarë Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes”, shkruan Rama.

Dje paralelisht me orët e para të tubimit, Rama mbajti një takim me socialistët në Tiranë, në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.

Protestat kundër projektit në Zvërnec kanë vijuar prej disa ditësh, që pas incidentit ku një protestues u dhunua në Vlorë nga punonjësit e kompanisë private të sigurisë që mbronin kantierin. Qytetarët kërkojnë ndalimin e projektit, pasi sipas tyre cenon zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës.

Te tjera

Lajme te tjera