Rrethimi me tela me gjemba i një sipërfaqeje të konsiderueshme pranë lagunës së Nartës, në kufi me fshatin Zvërnec ka ngritur alarmin për shkatërrim të zonës së mbrojtur. Organizatat mjedisore dhe disa banorë të zonës dolën sërish në protestë këtë të shtunë, duke kërkuar ndërprerjen e punimeve me argumentin se po shkatërrohet natyra.
Protestuesit tentuan të hyjnë në kantier dhe u përplasën me policinë private, të kontraktuar nga kompania që po kryen investimin “Zvërnec South Adriatic Development”. Protesta ka nxitur reagim publik sepse policët privatë që shfaqen të maskuar, hedhin spraj me piper ndaj protestuesve.
Një grua ka pësuar gjendje të fikëti. ‘Maskat’ në kantierin e ndërtimit nuk kursejnë as uniformat blu. Ajo që nuk dihet është se me çfarë autorizimi ata përdorin spraj kundër protestuesve dhe policëve?
Për situatën e tensionuar ka reaguar në rrjetet sociale edhe Adriatik Lapaj, kreu i Shqipëria Bëhet.
“Askush nuk mund të marrë zvarrë shqiptarët. Junta e Edi Ramës duhet rrezuar. Ligjet për investimet strategjike duhen shfuqizuar”, thotë ai.
Disa orë pas protestës, Policia e Vlorës reagoi për përplasjen dhe tha mori masat e nevojshme si për garantimin e tubimit ashtu edhe për mbrojtjen e pronës private.
Në njoftimin zyrtar, Policia thotë se një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme. Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, është futur brenda rrethimit të kantierit dhe është tërhequr me forcë nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, dhe ka mbetur i dëmtuar. Njëri prej punonjësve u vu në pranga pak orë pas protestës dhe pasi pamjet kur protestuesi tërhiqet zvarrë u bënë virale në rrjet.
Më pas, kryepolici Skënder Hita urdhëroi pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Vlorës, pasi sipas Policisë së Shtetit, qytetari që u mor zvarrë nga rojet private nuk ishte futur me forcë në kantierin e ndërtimit.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Paralelisht në Sheshin e Flamurit u zhvillua një tjetër protestë e thirrur në rrjetet sociale nga aktivistët Sazan Guri dhe Klajdi Kola, e cila pati pjesëmarrje të ulët dhe nuk u shënuan incidente.
Reagon kompania
Ndërkohë kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka reaguar pas ngjarjeve të ndodhura gjatë protestës së banorëve në Zvërnec, duke njoftuar se ka ndërprerë me efekt të menjëhershëm marrëdhënien kontraktuale me shoqërinë private të sigurisë që operonte në kantierin e projektit.
Në një deklaratë për shtyp, kompania thekson se pas shqyrtimit të materialeve filmike të bëra publike ka arritur në përfundimin se vazhdimi i bashkëpunimit me këtë shoqëri është “absolutisht i papranueshëm”. Sipas saj, kompania e sigurisë nuk ka pasur në asnjë moment instruksione për të vepruar në kundërshtim me ligjin apo në cenim të të drejtave të qytetarëve.
“Ndërhyrja ndaj një qytetari që ishte në të drejtën e tij të plotë për të protestuar jashtë kufirit të pronës dhe tërheqja e tij brenda saj për të ushtruar forcë nuk është vetëm e papranueshme moralisht, por edhe e dënueshme penalisht”, thuhet në reagimin e kompanisë.
“Zvërnec South Adriatic Development” ka kërkuar ndjesë për incidentin dhe u ka bërë thirrje organeve kompetente të zhvillojnë një hetim të plotë dhe të paanshëm, duke ndëshkuar sipas ligjit personat përgjegjës. Kompania deklaron se do të jetë në dispozicion të autoriteteve dhe palëve të interesuara me transparencë të plotë.
Në deklaratë, investitori rithekson gjithashtu rëndësinë e marrëdhënies me komunitetin lokal dhe premton rritjen e komunikimit me banorët e zonës në javët e ardhshme. Njëkohësisht, kompania shpreh keqardhje që ngjarja po shfrytëzohet, sipas saj, për të qarkulluar në rrjetet sociale pamje të fabrikuara të projektit, me synimin për të krijuar perceptimin se zhvillimi do të dëmtojë natyrën.
Sipas kompanisë, projekti është konceptuar mbi parimin e harmonizimit maksimal me mjedisin dhe ekosistemet e zonës, ndërsa versioni final do t’i prezantohet publikut në një moment të mëvonshëm si dëshmi e përputhshmërisë së tij me standardet më të larta të mbrojtjes së natyrës.
