E mërkurë, 23 Shtator, 2026

Përplasja me Iranin, Trump: Kam shpëtuar Britaninë nga një sulm bëthamor

Share

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar retorikën ndaj Britanisë së Madhe, duke argumentuar se ndërhyrja ushtarake amerikano-izraelite kundër Iranit ka shërbyer edhe për mbrojtjen e Mbretërisë së Bashkuar nga një kërcënim i mundshëm bërthamor.

Në një intervistë për televizionin britanik GB News, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë parandaluar një skenar të rrezikshëm. Sipas tij, në rast se Irani do të siguronte armë bërthamore, ekzistonte mundësia që ato të përdoreshin kundër një objektivi në Evropë.

“Unë po e shpëtoj edhe vendin tuaj nga kërcënimi”, u shpreh Trump, duke theksuar se raketat iraniane kanë kapacitetin për të arritur objektiva në Evropë.

Teherani, nga ana tjetër, ka mohuar vazhdimisht se synon krijimin e një arsenali bërthamor. Programi bërthamor i Iranit vijon të mbetet një nga çështjet më të debatueshme në raportet mes Teheranit dhe vendeve perëndimore.

Gjatë intervistës, Trump iu rikthye edhe kritikave ndaj qeverisë britanike për vendimin e saj për të mos u përfshirë drejtpërdrejt në konflikt.

Presidenti amerikan shprehu pakënaqësi ndaj qëndrimit të Londrës, ndërsa vuri theksin edhe te rëndësia e Ngushticës së Hormuzit për furnizimin me naftë të Britanisë së Madhe.

“Shumë nga nafta juaj vjen nga Ngushtica e Hormuzit dhe ju nuk ishit atje për të më ndihmuar”, deklaroi ai.

Trump la të kuptohej gjithashtu se pozicioni i mbajtur nga Britania mund të ndikojë në të ardhmen në mënyrën se si Uashingtoni do ta mbështesë Londrën për çështje të tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe Ishujt Falkland.

Në të njëjtën intervistë, presidenti amerikan sulmoi sërish kryetarin e Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, duke përdorur tone të ashpra dhe duke e cilësuar atë si një “kryetar bashkie shumë të keq”.

Trump përsëriti gjithashtu pretendimet se krimi dhe emigracioni e kanë ndryshuar ndjeshëm kryeqytetin britanik. Ai pretendoi se në zona të caktuara të Londrës dhe Parisit, policia ka frikë të kryejë patrullime.

Deklaratat e presidentit amerikan sollën reagimin e palës së Khan. Një burim pranë kryebashkiakut të Londrës e akuzoi Trump se është “i fiksuar” pas Sadiq Khan.

Sipas palës britanike, niveli i krimit në Londër ka shënuar rënie, ndërsa krimet e dhunshme janë në nivele më të ulëta krahasuar me disa prej qyteteve kryesore të Shteteve të Bashkuara.

“Londra mbetet një qytet global, i larmishëm, multikulturor dhe i lulëzuar”, u shpreh burimi pranë kryebashkiakut.

Te tjera

Lajme te tjera