Roven Zeka, shefi i policisë së Qarkullimit Rruror të Tiranës, u arrestua mesditën e së shtunës, me urdhër të SPAK, bashkë me Edison Tabakun, oficer i Policisë Gjyqësore dhe Sokol Novakun, shefin e Sektorit për Aksidentet.
Por si ra në rrjetën e SPAK zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit?
Gazetarja e News24, Klodiana Lala ka zbuluar detaje nga operacioni.
Më konkretisht, sipas gazetares, një grua është përfshirë në një aksident dhe bashkëshorti i saj ka hyrë në komunikime me zyrtarët e qarkullimit.
Lala, referuar burimeve, shprehet se ai ishte në përgjim nga Prokuroria e Posaçme për një çështje tjetër. Nga përgjimet ka rezultuar se janë ofruar para për të mbyllur në favor të gruas çështjen.
SPAK ka lëshuar urdhërarresti për shefin e qarkullimit Rrugor në Tiranë, Roven Zeka, si dhe për dy zyrtarët e tjerë policorë.
Të tre dyshohen për korrupsion, pasi ka dyshime se i kanë marrë para një gruaje për një aksident.