Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në një intervistë për News24, ka zbardhur disa prej bisedave të biznesmenit Ron Yefet me persona të tjerë, duke vënë në fokus mënyrën se si përshkruhej raporti me qeverinë shqiptare.
Gjatë intervistës, Ahmetaj lexoi pjesë nga ato që deklaron Ron Yefet në bisedat e bëra publike.
“Qeveria shqiptare jeni ju, ndërsa Gregori do të bëjë ristrukturim në USA, por qeveria jeni ju. Kjo është struktura dhe strukturën Gregori mund ta bëjë, por lidhja me qeverinë dhe çdo gjë tjetër do të jeni ju. Duhet të jemi të heshtur dhe duhet ta bëjmë këtë në mënyrë shumë të butë. Do të ketë shumë zhurmë në media ndërsa ne e bëjmë këtë, do të ketë shumë lajme, por procesi do të bëhet. Unë vërtetë preferoj që ju të merreni me problemet tuaja.
Do jetë në shumë lajme dhe media, por i gjithë procesi do të bëhet, unë vërtet do të preferoja që ju të merreni me problemet tuaja…”, thuhet në deklaratën që Ahmetaj i atribuon Ron Yefet.
Në vijim, Ahmetaj sqaroi se këto deklarata të Yefet u drejtoheshin dy personave, identitetin e të cilëve tha se nuk dëshironte ta komentonte.
“Këto Ron Yeffet ia thotë dy folësve që mua nuk më interesojnë”, tha Ahmetaj gjatë intervistës.
Sipas pretendimeve të Ahmetajt, një pjesë e skemës lidhet me atë që ai e quan “modeli KAYO”. Ai pretendon se shteti krijon kompani publike si “mburojë” dhe më pas kalon pasuri ose kryen shërbime pa tender përmes partneriteteve me kompani private të lidhura me Ron Yefet.
Ahmetaj pretendon gjithashtu se paratë e buxhetit devijohen dhe se biznesmeni izraelito-amerikan sillet si “pronar i Shqipërisë”, duke ndarë aksione dhe përqindje fitimi me qeverinë për pika strategjike, mes tyre fusha gazmbajtëse e Delvina Gas, TEC-i i Vlorës dhe Aeroporti i Vlorës.
Në vijim të denoncimeve të tij, Ahmetaj pretendon se në përgjime dëgjohet edhe një plan për krijimin e një trusti në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që, sipas tij, “t’i mbyllet goja” apo të shmanget vëzhgimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Një tjetër pjesë e akuzave të ish-zëvendëskryeministrit lidhet me trafikun ndërkombëtar të armëve. Ahmetaj ka pretenduar se armë që vijnë nga vende të Afrikës sillen në Shqipëri, paketohen këtu nën logon e kompanive si “Advanced Arms Technology” apo “Timak Defense” dhe më pas dërgohen drejt zonave të konfliktit.
Në këtë kuadër, ai ka përmendur edhe ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, të cilit i referohet edhe me pseudonimin “Ermal Raketa”, duke e akuzuar si ndërmjetës të rëndësishëm të këtyre aferave. Ahmetaj ka pretenduar gjithashtu se një furgon me raketa, që sipas tij lidhet me këtë linjë, është kapur në Itali.
Në një tjetër pjesë të audio-përgjimeve, që sipas Ahmetajt janë publikuar në segmente nga një material rreth tre orësh, biznesmeni Ron Yefet dëgjohet të shprehet:
“Qeveria na ka pajtuar për të gjitha gjërat e këqija që duhet të bëhen.”
Sipas Ahmetajt, në një tjetër pjesë të bisedave Yefet u thotë bashkëpunëtorëve se nuk kanë nevojë për para, pasi paratë sigurohen nga shqiptarët përmes firmave të “kreut të organizatës”, referencë që Ahmetaj e lidh me kryeministrin Edi Rama.
