Diplomati amerikan David Kostelancik, një nga figurat me karrierën më të gjatë në Departamentin e Shtetit, ka shpallur lamtumirën pas 36 vitesh shërbim. Ai u nominua dy herë nga presidenti Joe Biden për të qenë ambasador në Shqipëri, por nuk arriti asnjëherë të marrë detyrën pasi nominimi u bllokua në Senat.
Në një mesazh publik, Kostelancik kujtoi kapitujt kryesorë të karrierës së tij: nga shërbimi në Turqi dhe Irakun Verior pas Luftës së Gjirit, tek hapja e ambasadës amerikane në Tiranë ku ishte diplomati i parë i akredituar, e deri te detyrat në Rusi, NATO dhe OSBE. Ai përmendi gjithashtu pozicionet e rëndësishme në Washington, përfshirë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Byronë e Kundërterrorizmit.
Megjithatë, Kostelancik nuk e fshehu keqardhjen që nuk e përmbylli karrierën si ambasador në Shqipëri, një vend që tha se e respekton dhe beson në të ardhmen e tij. “Ishte një nder i madh të nominohesha si Ambasador i SHBA në Shqipëri. Kam respektin më të madh për atë komb dhe besim të plotë në të ardhmen e tij”, u shpreh ai.
Bllokimi në Senat nuk lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë, por me ngërçin politik në Washington, ku prej kohësh shumë nominime të administratës Biden kanë mbetur pezull si pjesë e përplasjes mes demokratëve dhe republikanëve.
Mesazhi i plotë
Sot është dita ime e fundit e punës në Departamentin e Shtetit.
Ka qenë nder dhe privilegj të shërbej, të promovoj dhe të mbroj interesat e popullit amerikan si oficer i Shërbimit të Jashtëm për 36 vjet. Duke cituar Teddy Roosevelt, nuk e kisha menduar kurrë shpërblimin që do të gjeja nga puna kaq e vështirë në një punë që ia vlen. Shoqëria me të gjithë ju ka qenë frymëzimi që më ka mbajtur gjithmonë në lëvizje. Jeni ju që më keni inkurajuar gjatë kohërave sfiduese. Për këtë, ju falënderoj një për një.
Nga shërbimi në Turqi (përfshirë edhe atë në Irakun Verior pas Luftës së Parë të Gjirit në kuadër të operacionit ‘Provide Comfort’), te fakti se isha oficeri i parë i Shërbimit të Jashtëm zyrtarisht i caktuar dhe i pari oficer politik/ekonomik në ambasadën e sapohapur të SHBA në Shqipëri, te shërbimi në Rusi (fillimisht si asistent i posaçëm i ambasadorit gjatë turit të parë dhe më pas si kontribues në një marrëdhënie atëherë më produktive), te puna me peshë në NATO dhe OSBE dhe tre vite në ambasadën amerikane në Hungari, përfshirë dy vjet si i ngarkuar me punë, te shërbimi në Washington në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në drejtimin e programeve për Evropën dhe Azinë në Byronë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe në Byronë Evropiane përgjegjës për Zyrën e Çështjeve Ruse, te shërbimi si këshilltar i lartë i Departamentit të Shtetit pranë Komisionit të Helsinkit në Kongres dhe si këshilltar për punët e jashtme (POLAD) pranë Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, deri te posti i Zëvendës Koordinatorit në Byronë e Kundërterrorizmit – në të gjitha këto kam përfituar nga urtësia, këshillat dhe miqësia juaj.
Dhe, ishte një nder i madh të nominohesha si Ambasador i SHBA në Shqipëri. Kam respektin më të madh për atë komb dhe besim të plotë në të ardhmen e tij.
E mbyll me fjalët e Churchill-it, të cilat i kam përsëritur sa herë që kam lënë pas një kapitull të karrierës sime: ‘Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal: është guximi për të vazhduar që ka rëndësi’.
Ju uroj të keni guximin të vazhdoni të flisni dhe të përpiqeni për paqen, drejtësinë dhe të vërtetën. Kjo është ajo që do të bëj edhe unë.
