E premte, 14 Gusht, 2026

Partizani eliminon Atletiko Eskaldes, siguron turin e tretë të Conferencë League, ndërsa Struga kualifikohet përballë Buduçnostit

Share

Partizani e bëri si duhet detyrën mbrëmë në Ligën e Konferencës, pasi mundi me rezultat të thellë e me meritë të plotë 4-1 ekipin e Andorrë, Atletiko Eskaldes (në origjinal Atletico d’Escaldes). Ndeshja e luajtur në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, u dominua nga skuadra e kuqe nga fillimi e deri në fund. Protagonisti kryesor i takimit ishte sulmuesi Tedi Cara, që shënoi dy golat e parë të duelit që në fraksionin e parë të lojës, gjë që i dha drejtim jo vetëm kualifikimit, por edhe një fitoreje bindëse. Në fakt, Partizani ishte disi me fat, pasi andorrianët patën rastin e parë ideal por mbrojtja e kuqe largoi në momentin final rrezikun, i cili mund të vinte në vështirësi objektivin. Cara shënoi në minutën e 28-të golin e parë e të dytin në minutën e fundit të pjesës së parë. Me 2-0 që në 45-minutëshin e parë, të kuqtë shkuan në pushim me moral të lartë dhe u mbetej ta menaxhonin epërsinë. Andorrianët këmbëngulin në pjesën e dytë, por s’kanë as shpejtësi e as zhdërvjelltësi. Amarildo Rrapaj shënon golin e tretë në minutën e 64-t, duke hipotekuar kalimin e turit, ndërsa në minutat e fundit të ndeshjes Piloto  shënoi golin e nderit për Atletiko d’Ekaldes. Por pikërisht në sekondat e fundit, vjen dhe goli i Eros Grezdës, që vlen më shumë si statistikë personale. Pra Partizani fiton 4-1 dhe shkon në turin e tretë, ku do të gjejë skuadrën letoneze Valmiera. Si dihet, Partizani e nisi aventurën europiane në Ligën e Kampioneve, në turin e parë paraeliminator. Në short pati Bate Borisov, skuadër bjelloruse, por nuk ia doli të kualifikohet, pasi barazoi në duelin e parë e humbi 2-0 në duelin e dytë. Duke përfituar nga formula e UEFA-s, zbriti në Ligën e Konferencës, ku në short pati Atletiko Eskaldes, të cilën e mundi 1-0 në duelin e parë në transfertë e mbrëmë 4-1 në Tiranë. Tani Partizani ka sërish një shans për të avancuar në Conference League.

Struga kualifikohet përballë Buduçnostit

Një tjetër skuadër shqiptare siguroi mbrëmë kalimin e turit të dytë në Ligën e Konferencës. Bëhet fjalë për Strugën, skuadër shqiptare e Maqedonisë së Veriut, e cila mundi në transfertë Buduçnostin e Malit të Zi, me rezultat 4-3, ku protagonist absolut ishte Radeski, që shënoi tregolësh. Struga pati fituar edhe duelin e parë, me rezultatin 1-0 dhe bëri një kualifikim të merituar.

Te tjera

Lajme te tjera