Deputetja e PD, Ina Zhupa ka zhvilluar një interpelancë me ministren e Kulturës, Elva Margariti lidhur me projektin e Butrintit për administrimin nga një fondacion, ligj i miratuar në Kuvend para disa javësh. Zhupa tha se Ministria e Kulturës e dha me koncesion Butrintin duke argumentuar se deri më tani administrimi nuk kishte rezultuar efektiv për shkak të administratës së paaftë dhe të politizuar.
Në përgjigje të saj, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se aty nuk do të ketë asnjë ndërtim. “Ata që shohin ëndrra me kulla e hotele nuk do ketë asnjë ndërtim të këtij lloji e do parashikohet ngritja e një qendre vizitorësh dinjitoze, që të mund të kemi një hyrje dinjitoze në një park kombëtar si ekziston në shumë vend të tjera të botës”, tha Margariti.
Ndërsa deputetja demokrate insiston se planin e menaxhimit të Butrintit po ata që morën fondacionin e Butrintit.
Mes debateve të shumta mes opozitës dhe maxhorancës, para disa javësh kuvendi miratoi me 75 vota pro, 18 kundër dhe 1 abstenim marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintin nga fondacioni shqiptaro-amerikan AADF, në të cilën bën pjesë edhe shteti.
Marrëveshja synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike. Do të shtohen shërbimet për vizitorët, mes të cilave është ngritja e një qendër pritjeje për vizitorët. Po në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 hektar në 8.622,2 hektar. Pra, një sipërfaqe prej rreth 800 hektar nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike, por që ka shkatuar shumë debate në Kuvend.
Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe do të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Richard Hodges. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.
Ministrja e Kulturës i përgjigjet Zhupës: Do të ndezësh llambushka të një publiciteti shterpë me kauza të munguara! Ata që shohin ëndrra me kulla, nuk do të ketë ndërtime të këtij lloji
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti i është përgjigjur deputetes së PD Ina Zhupa, e cila e ka thirrur në interpelancë për çështjen e Butrintit duke i thënë se “është ndezur llampushka e një publiciteti shterpë”. Më pas jep sërish detaje se çfarë do të ketë projekti i Butrintit duke nisur nga marrëveshja deri te paratë që do të investohen.
“Në respekt të kërkesës për interpelancë ndonëse jo mbi pyetje konkrete, do vazhdojmë të sqarojmë ata të cilët ndoshta kanë ende hapësira për sqarime, por mendoj se është për të ndezur llambushka të një publiciteti shterpë dhe me kauza të munguara. E keni dëgjuar disa herë dhe duhet ta ripërsëris që Butrinti do të vijojë të jetë pronë e shtetit dhe nuk i jepet asnjë privati. DSo të administrohet nga një fondacion shqiptar, do të jetë bashkëpunim me fondacionin shqiptaro-amerikan për zhvillim, punët e të cilit i kemi dëgjuar tashmë që nga pazari i Gjirokastrës, i Tiranës, i Krujës etj.
Ky fondacion do të monitorohet nga Ministria e Kulturës si përfaqësues i palës shtet për të kontrolluar të gjithë aktivitetin e fondacioni, ashtu siç do të auditohet në një nga big4. Marrëveshja e administrimit nuk parashikon asnjë tjetërsim apo kalim prone. Në krye të fondacionit është bordi me 5 anëtarë, 2 nga Ministria e Kulturës, 2 nga partneri strategjik dhe një arkeolog i famshëm, Richard Horges.
Shteti shqiptar nëpërmjet MK është drejtues i bordit. Kjo është një nga kërkesat primare që kemi pasur në që fillim të hartimit të planit. Fondacioni funksionon sipas ligjit të OJF-ve shqiptarë, pra është jofitimprurës duke hedhur poshtë çdo akuzë, alibi apo pikëpyetje ngritur me të ardhurat e Butrintit. Çdo qindarkë do të mbetet në Butrint. Investimet që parashikohen në total 7.5 milionë dollarësh, ku 5 milionë janë dhënë në formën e marrëveshjes së grantit nga partneri strategjik dhe 2 milionë të tjera janë të garantuara nga arka e parkut të Butrintit, të mbledhura në periudhë 10-vjecare. Parashikojmë të kemi 110 punonjës në Butrint dhe shteti nuk do të shpenzojë para për pagat e punonjësve. Ata që shohin ëndrra me kulla e hotele nuk do ketë asnjë ndërtim të këtij lloji e do parashikohet ngritja e një qendre vizitorësh dinjitoze, që të mund të kemi një hyrje dinjitoze në një park kombëtar si ekziston në shumë vend të tjera të botës”, tha Margariti.