E enjte, 23 Prill, 2026

Nga telefonatat te planet për atentate, Dumani tregon format e kërcënimit të krimit dhe politikës ndaj SPAK-ut

Share

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka folur lidhur me kërcënimet dhe presionet që ushtrohen ndaj prokurorëve të Posaçëm por edhe atij vetë si drejtues i këtij institucioni.

Dumani u shpreh se krimi i organizuar gjen forma të ndryshme kërcënimi ndaj prokurorëve të posaçëm. Teksa theksoi se niveli i kërcënimeve është në rritje, kreu i Prokurorisë së Posaçme tha se krimi i organizuar ka depërtuar nëpërmjet telefonatave kërcënuese të vetë prokurorëve apo edhe familjarëve të tyre deri në planifikime për atentate.

“Është pjesë e raportit faktikisht, raport i cili është publikuar edhe në faqen zyrtare të Prokurorisë së Posaçme. T’i ndajmë, kërcënimi nga krimi i organizuar, kërcënimet janë të shpeshta ndaj prokurorëve të posaçëm, përfshirë edhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme. Niveli i kërcënimeve sa vjen edhe rritet. Si kemi reaguar ndaj kërcënimeve? Ku ka pasur vend kemi referuar materiale për fillimin e ndjekjes penale, ku prokurorë kanë qenë kallëzues, qoftë edhe në rolin e të dëmtuarit nga vepra penale. Ka metoda të ndryshme për të transmetuar një kërcënim te prokurorët e Posaçëm. Krimi i organizuar është shumë i sofistikuar. Por mund të them këtë që janë kërcënime të formës përmes telefonatave apo duke kërcënuar familjarë të prokurorëve të posaçëm, apo vetë prokurorëve të posaçëm, kërcënime madje me jetë, deri plane në realizimin e atentateve ndaj prokurorëve”, tha Dumani për “RTSH”.

Sa i takon kërcënimeve nga politika, Dumani theksoi se ka një retorikë të politikës ndaj prokurorëve të posaçëm. Ai i cilëson si një formë presioni, pavarësisht se prokurorët nuk ndikohen nga këto kërcënime.

“Sa i takon kërcënimeve nga politika ju jeni vetë dëshmitarë, nga mëngjesi deri në darkë, prokurorët e posaçëm me emra, me emra të përveçëm, me emra familjarësh, kërcënohen, baltosen, fyhen dhe kjo është formë presioni. Pavarësisht se prokurorët e posaçëm kanë pjekurinë e duhur, maturinë e duhur për t’i përballuar këto kërcënime. Ne jemi mjaftueshëm të përgatitur për t’i përballuar këto kërcënime. Por ky është një realitet. Si drejtues i prokurorisë së Posaçme nuk mund të rri e thënë”, u shpreh Dumani.

I pyetur nëse politika ka shkuar përtej kësaj, Dumani tha se kërcënimet apo presionet janë ato “çfarë është thënë publikisht nga politika, të regjistruara në kronikat tuaja dhe në vlerësimin tim janë mjaftueshëm për t’u konsideruar si presione apo kërcënime”.

Te tjera

Lajme te tjera