Harta e botës që përdoret prej shekujsh mund të përballet me një ndryshim të rëndësishëm, pasi në Kombet e Bashkuara ka mbërritur debati për shtrembërimin e përmasave të kontinenteve nga projeksioni tradicional i Mercatorit.
Në qendër të nismës qëndron Afrika. Në hartën e Mercatorit kontinenti afrikan paraqitet vizualisht shumë më i vogël në raport me territoret pranë poleve.
Togo udhëheq nismën dhe mbështetet nga 54 shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Afrikan, si dhe nga vende të tjera. Propozimi kërkon që institucionet të kalojnë gradualisht nga Mercatori te projeksioni “Equal Earth”.
Ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, argumenton se nisma mbështetet te të dhënat mbi përmasat reale të territoreve.
“Kjo nuk është një çështje politike, por një debat shkencor. Të dhënat shkencore janë të padiskutueshme dhe të gjithë duhet ta pranojmë realitetin”, ka deklaruar Dussey.
Pse Mercatori e paraqet Afrikën më të vogël?
Kartografi flamand Gerardus Mercator krijoi projeksionin që mban emrin e tij në vitin 1569. Ai e projektoi hartën kryesisht për të lehtësuar navigimin detar.
Por mënyra se si projektohet sipërfaqja sferike e Tokës në një hartë të sheshtë shkakton shtrembërime të sipërfaqeve. Territoret pranë poleve paraqiten shumë më të mëdha në raport me ato që ndodhen pranë ekuatorit.
Një nga krahasimet që evidenton këtë diferencë është ai mes Afrikës dhe Groenlandës.
Në hartën e Mercatorit, Groenlanda mund të krijojë përshtypjen se ka përmasa të krahasueshme me Afrikën. Në realitet, sipërfaqja e kontinentit afrikan është rreth 14 herë më e madhe se ajo e Groenlandës.
Fushata ndërkombëtare #CorrectTheMap përdor edhe një krahasim tjetër për të treguar përmasat e Afrikës. Sipas saj, brenda sipërfaqes së kontinentit mund të vendosen njëkohësisht Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Japonia, Meksika dhe pjesa më e madhe e Evropës.
Nga Mercatori te “Equal Earth”
Nisma propozon përdorimin e projeksionit “Equal Earth”, të krijuar në vitin 2018. Ky projeksion synon të ruajë raportet reale të sipërfaqeve, duke shmangur shtrembërimin e fortë që Mercatori krijon mes zonave pranë ekuatorit dhe atyre pranë poleve.
Debati ka marrë edhe një dimension historik. Aktivistë dhe ekspertë që mbështesin ndryshimin përdorin termin “kolonializëm kartografik”, duke argumentuar se Mercatori ka ndikuar në perceptimin e përmasave të vendeve të Jugut Global në raport me ato të Veriut.
Një votë pozitive në Kombet e Bashkuara nuk do ta bënte ndryshimin ligjërisht të detyrueshëm. Megjithatë, nisma mund të ndikojë në hartat që përdorin shkollat, institucionet publike, aplikacionet dixhitale dhe platformat online.
Qeveria e Togos po planifikon gjithashtu një konferencë ndërkombëtare në Lomé, në bashkëpunim me UNESCO-n, Bashkimin Afrikan dhe kompani të teknologjisë, ku palët pritet të diskutojnë zbatimin e një standardi të ri hartografik.
“Atyre që pyesin ‘pse tani?’, unë u përgjigjem ‘pse jo?’. Është koha për të ndryshuar narrativën dhe për të marrë përgjegjësinë për atë që mund ta rregullojmë vetë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Togos.
